Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve shpalosi vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të cilin e mbështet në tri shtylla – bujqësi, energji dhe miniera e minerale.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit, Albin Kurti deklaroi në kolegjin ISPE se pas luftës prioritet i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka qenë ruajtja e stabilitetit dhe krijimi i institucioneve, por jo edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.
“Ndërtimi i administratës shtetërore, pushtetit lokal dhe demokracisë nuk kanë kuptim pa pasur një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe kjo Kosovës i ka munguar deri më tani. Roli i UNMIK-ut ka qenë vital në periudhën 1999 – 2000 për tejkalim të emergjencave dhe menaxhim të kthimit të refugjatëve, por mungesa e vizionit ekonomik për Kosovën, më pas ka shkaktuar pasojë të rënda”, theksoi Kurti në një ligjëratë të mbajtur për studentët e kolegjit ISPE dhe ata të Universitetit të Heidelbergut, në kuadër të sesioneve të përbashkëta.
Gjatë ligjëratës u vërejt interesim i madh i studentëve të Heidelbergut për situatën në Kosovë dhe zhvillimet aktuale.
Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve shpalosi vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të cilin e mbështet në tri shtylla – bujqësi, energji dhe miniera e minerale si dhe për ndërtimin e një shteti që mundëson drejtësi sociale që arrihet nëpërmjet tatimit të përshkallëzuar dhe aplikimit të skemave të sigurimeve individuale.
Kurti: Kemi marrëdhënie të mira me PS-në dhe me Kryeministrin Rama
Pas ligjëratës, ish lideri i Vetëvendosjes Kurti, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve. Në pyetjen rreth përdorimit të kauzës së bashkimit kombëtar në fushatën zgjedhore, Kurti pohoi se “ne si Vetëvendosje do të jemi në koordinim të vazhdueshëm me Tiranën zyrtare dhe asnjëherë nuk duhet që Kosova të jetë dy hapa para Tiranës zyrtare. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Partinë Socialiste dhe me Kryeministrin Edi Rama dhe do të jemi të bashkërenduar, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria edhe të integrohen, por edhe ta rrisin prosperitetin”.
Kurti po ashtu përsëriti qëndrimin e gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet që së bashku dhe njëkohësisht të anëtarësohen në BE dhe se nëse Serbia anëtarësohet para Kosovës dhe Shqipërisë, do të shkaktojë obstruksione shumë më të mëdha në procesin e integrimit, sesa ato që po ia shkakton Greqia Maqedonisë.
Rreth Gjykatës Speciale, Kurti pohoi se “një gjykatë më shumë, nuk sjellë më shumë drejtësi” dhe është skeptik për efikasitetin e kësaj gjykatë duke e ditur se ajo themelohet pas gjykatave të UNMIK-ut, atyre të EULEX-it dhe prokurorisë speciale të Kosovës.
Para gazetarëve, përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare përsëriti qëndrimet e tij rreth dialogut me Serbinë në Bruksel duke thënë se qëllim i Vetëvendosjes është fillimi i një dialogu për zhvillim me serbët e Kosovës, në raportin nga poshtë – lartë dhe më pas gjetjen e formës për rifillim të dialogut me Serbinë, që sipas Kurtit tash për tash është i pezulluar.
Askund më shumë se nga një zv. Ministër
Duke folur për nevojën e Kosovës për një qeveri efikase dhe të përgjegjshme, Albin Kurti deklaroi se Vetëvendosja do të zvogëlojë qeverinë duke bërë bashkimin e disa ministrive në një dhe duke mos emëruar askund më shumë se nga një zëvendës ministër me qëllim të rehatimit të militantëve partiakë.
Çështjen e liberalizmit të vizave edhe kësaj radhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes e lidhi më shumë me kushtin që ka të bëjë më sundimin e ligjit sesa më atë që ka të bëjë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Rreth vetë demarkacionit Kurti pohoi se fillimisht duhet një hetim që do të konstatojë shkeljet, e më pas një qasje e re e ndaj procesit në bashkëpunim me Podgoricën zyrtare.
Sesionet e përbashkëta të kolegjit ISPE dhe të Universiteti të Heidelbergut për qëllim kanë rritjen e përvojës dhe efikasitetit akademik të studentëve të të dyja institucioneve akademike dhe ky është viti I pestë me radhë që zhvillohen këto sesione. (kolegji ispe)