Kurti: Nuk mund të dështojmë sërish në reciprocitetin me Serbinë

Kosovo Albin Kurti als neuer Regierungschef bestätigtDeklarimet e Albin Kurtit rreth përgatitjeve për ta vendosur reciprocitetin me Serbinë në mënyrë që mos të dështojë, qeveria e Serbisë i cilësoi si minim të drejtpërdrejtë të dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, por për ta bërë këtë veprim ai tha, se duhet përgatitje e mirë në mënyrë që mos të dështojë. Çështjen e reciprocitetit me Serbinë Kurti tha se e ka diskutuar edhe në Bruksel gjatë  takimeve që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto komente kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri gjatë një seance parlamentare, ku u diskutua për 100 ditëshin e qeverisë së tij.

“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje”

“Në këto 100 ditët e para të qeverisjes sime ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi mirë, sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në qeverinë Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, tha Albin Kurti, duke ju përgjigjur kritikave të opozitës se ai ka shkelur premtimin e tij elektoral duke mos e vendosur reciprocitetin me Serbinë. Kurti tha se qeveria e tij dëshiron që reciprociteti i plotë me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më.

“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndoshë i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më”, tha kryeministri Kurti.

Petkoviq: “Kurti po minon drejtpërdrejt dialogun”

Kosova në vitin 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, ndërsa qeveria Kurti 1, e zëvendësoi atë me reciprocitet, ku u përfshin një sërë masash tregtare. Qeveria pasuese e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin, që u mbështet edhe nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarimet e fundit të kryeministrit, Albin Kurti se ai po përgatitet që ta vendosë reciprocitetin me Serbinë në atë mënyrë që mos të dështojë sollën reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Sipas tij, “me kërcënimet se do të vendosë masa reciprociteti ndaj Serbisë, Kurti po minon drejtpërdrejt dialogun dhe gjithçka që është rënë dakord deri tash”. “Çështja e reciprocitetit është një eufemizëm për ngritjen e barrierave të reja ekonomike, ndaj të cilave serbët në Kosovë dhe Beogradi u ekspozuan gjatë kohëzgjatjes së taksave kundër civilizimit prej 100 për qind. Prandaj do të ishte më mirë që Kurti t’i përkushtohej zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, veçanërisht formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, në vend të njoftimeve të tilla të lëvizjeve të njëanshme që prishin drejtpërdrejt dialogun”, tha Petkoviq, në një deklaratë për mediat të lëshuar nga zyra e tij. Sipas tij,  deklaratat e Kurtit përfaqësojnë një vazhdim të “pengimit të hapur ndaj dialogut dhe zyrtarëve nga Brukseli”.

Wilson: Të riformulohet një dialog mes palëve të barabarta

Takimi i radhësndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuҫiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pritet të ndodhë në  muajin shtator. E ky dialog sipas një raporti të qendrës amerikane Wilson, me titull (Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës), që merret me analiza politike për Ballkanin, thuhet se “dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të riformulohet në dialog mes palëve të barabarta, dhe të bazuar mbi parimin “njerëzit të parët, jo territori”. Sipas këtij raporti, Kosova dhe Serbia kanë një mundësi unike që të zgjidhin një prej burimeve kryesore të tensioneve ndërshtetërore në Ballkanin Perëndimor, problemin mbi sovranitetin e Kosovës.

“Duke mos vepruar në mënyrë më strategjike për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, BE-ja ka kontribuar në situatën aktuale, ku i gjithë rajoni është në një gjendje tensioni, duke lejuar ndërhyrjen nga Rusia, Kina dhe të tjerët”, thuhet në raport. Aty shtohet se “statusi neutral rrjedh nga pesë shtetet mosnjohëse brenda BE-së, ndërkaq administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, duhet të fokusohet në përpjekjet që këto shtete të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës”.

“Nëse BE-ja nuk arrin të unifikojë pozicionin karshi Kosovës dhe të fusë Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit, ku do t’u lejohej shteteve anëtare që të vendosin veto mbi bisedimet për anëtarësim dhe për liberalizimin e vizave për shtetet aspiruese, ndikimi i saj do të zbehet, përfshirë edhe kapacitetin e saj për të përdorur kushtëzimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar reformat”, thuhet në raportin e Qendrës amerikane Wilson. Raporti i rekomandon Kosovës dhe Serbisë që të “vendosin njerëzit para territorit, duke bërë prioritet çështjet kyçe që prekin jetën e njerëzve”.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>