Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se nuk mund të ketë Asociacion komunash mbi baza etnike, sepse një mekanizëm i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Komentet e kryeministrit Kurti pasuan deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Çështja e asociacionit u debatua në martën në Bruksel në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013 arritën disa marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në mesin e të cilave edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën u rinegociua në vitin 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Beogradi ngulë këmbë që Asociacioni të themelohet sipas marrëveshjes.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet pritet të vazhdojnë nga fundi i muajit korrik dhe nga përparimi i tyre varet edhe përparimi i të dyja vendeve në proceset integruese evropiane.
Kosnett: Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnet tha se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se shtetet kanë detyrim që të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e tyre.
Ai i bëri këto komente në një intervistë për Radion Kontakt Plus, një media në gjuhën serbe në veriun e Kosovës, përgjatë një vizitë në atë zonë.
“Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Kosnett sipas një përkthimi të radios Kontakt Plus.
Komentet e tij u bënë pak pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën në Bruksel se “Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar”.
Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se “ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013 arritën disa marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në mesin e të cilave edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën u rinegociua në vitin 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ambasadori Kosnett tha se qeveria në Prishtinë ankohet se nuk ka pasur asnjë kompromis nga Beogradi, se Beogradi nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij.
“Kjo është pikërisht ajo për të cilën palët duhet të ulen dhe të flasin dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet pritet të vazhdojnë nga fundi i muajit korrik.
voa