Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se “Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumë etnike, nuk është i mundshëm”. Ky qëndrim që u shpreh gjatë një vizite në një fabrikë në komunën e Ferizajt, është përgjigja më e fortë ndaj trysnisë diplomatike perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Komentet e kryeministrit Kurti pasuan takimin e një ditë më parë të organizuar nga ambasada amerikanë në Prishtinë me një grup zyrtarësh qeveritarë, përfaqësuesish të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth Asociacionit.
Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, zoti Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.
“Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai.
Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjidhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.
“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.
Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.
“Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.
Shtetet e Bashkuara kanë siguruar Kosovën se nuk do të mbështesin krijimin e një mekanizmi si në Bosnjë, ndërsa kanë theksuar se koha për themelimin e asociacionit është tani.
“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës…ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Serbe në Bosnje Hercegovinë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Por ai theksoi se Kosova të përmbushë detyrimet e saj.
“Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.
Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Kryeministri Kurti e ka cilësuar propozimin si “bazë të mirë për diskutime” dhe është shprehur i gatshëm të bisedojë për të.
“Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe le të diskutojmë për të gjitha çështjet. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është i domosdoshëm por njohja reciproke është në qendër. Unë nuk po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshja, marrëveshja do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra është njohja reciproke, për këtë më kanë votuar mua qytetarët dhe kështu e thotë Kushtetuta, kështu e thotë ligji, Republika dhe demokracia”, tha ai të mërkurën.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Të enjten ai pritet të shkojë në parlamentin serb për të diskutuar mbi këtë çështje.
Për pak ditë Kosova shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj që është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Moskës.
voa