Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka deklaruar se kryetari i komisionit, Murat Meha, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Skender Hysenin, kanë sjellë marrëveshjen e kapitullimin, ndërsa Kuvendi së shpejti do të ftohet ta bëjë legjitimimin këtij akti të tradhtisë dhe krimit të pashembullt.
Ai në seancën e sotme plenare ka thënë se me marrëveshjen për demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk ka kufi.
Kurti madje thotë se së shpejti do të ftohen që ta legjitimojmë këtë akt, të cilën ai e quan akt të tradhtisë dhe krimit të pashembullt.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kësaj radhe u mor me Adem Grabovcin, duke ia komentuar incizimet e bisedave të tij, të cilat janë publikuar së fundi në media. Ai tha se shefi i shefave është dora e zgjatur e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që janë trekëndëshi kryesor që Republikën e Kosovës e kanë kthyer në plaçkë.
Për këto akuza u përgjigj vet shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci i cili tha se nëse është vepër penale dhe krim, punësimi i njerëzve dhe hapja e vendeve të reja të punës, është i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë. Grabovci duku iu kundërpërgjigjur Konjufcës, ka thënë se procesi i përgjimeve të vitit 2011, është hetuar vite me radhë dhe është mbyllë në mungesë të provave.
Ndërsa, deputeti Gëzim Kelmendi e quajti skandaloze dhe të turpshme, nxitimin e qeverisë për të proceduar në Kuvend ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Deputetët sërish patën vërejtje për mungesë të kryeministrit Isa Mustafa, në seancat parlamentare. Smajl Kurteshi deputet i Lëvizjes VV, tha se kryeministri Mustafa është shndërruar në një nxënës të keq, i cili sa herë ka pyetje ik prej orës.
Edhe deputeti Raif Çela kishte vërejtje për mungesë të kryeministrit, për të cilin kishte një pyetje për Trepçën. Megjithëse Mustafa mungoi, ai e bëri pyetjen që kishte për të.
Ndërsa me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për investime për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10. Ky projektligj ngjalli debat në mes të deputetëve të VV-së dhe LDK-së. Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha se megjithëse nuk u pëlqen ky projektligj, ata janë të detyruar që ta votojnë atë, pasi që ky është një kompromis, për t’u votuar pastaj Projektligji për trafikun urban.
Ndërsa, Ismet Beqiri tha se këtu nuk është punë kushtëzimi, por duhet të votohet diçka që është në interes të vendit./KosovaPress/