Kurti për “Le Temps”: Studentët dhe shkencëtarët tanë të kthehen në Kosovë

AlbinFituesi i madh i zgjedhjeve legjislative të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti detajon për gazetën e njohur “Le Temps” se si synon të transformojë vendin e tij, ndërkohë që u bën thirrje kosovarëve që jetojnë në Zvicër dhe në Europë.

Dy përparësitë e Albin Kurtit, udhëheqësit të partisë së majtë ”Vetëvendosja”, janë të qarta: të luftojë korrupsionin dhe të angazhohet me pakicën serbe në Kosovë.

Një ditë pas fitores së tij të madhe në zgjedhjet legjislative të së dielës, ai i dha këtë intervistë për gazetarët e ”Le Temps” Jean-Arnault Dérens dhe Laurent Geslin:

Le Temps: Ju keni qenë kryeministër për 50 ditë, në fillim të vitit 2020. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga kjo përvojë e shkurtër, ndërsa ktheheni sërish në këtë zyrë?

A.K: Ne kemi dy përparësi, punën dhe drejtësinë. Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni. Ne kemi nevojë për investime, por asgjë nuk mund të ndodhë pa një luftë të vendosur kundër korrupsionit. Kur isha kryeministër, nisa operacione për verifikimin e administrates së lartë. Tani do ta rifillojmë këtë punë, si edhe do të kalojmë ligjin antimafia. Sidoqoftë, gjatë kohës që isha në detyrë, zbulova një fakt shumë inkurajues: korrupsioni është përqendruar në majën e shtetit, nuk është ndërfutur në të gjithë shoqërinë, ndryshe nga vendet e tjera në rajon. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit votuan për ndryshimin. Ne duam t’i japim fund një regjimi të vjetër ku elitat e korruptuara përqendrojnë pasurinë.

Le Temps: Gjatë fushatës, ju e denoncuat shumë këtë “regjim të vjetër”. Çfarë dhe cili është?

A.K: Të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet që nga viti 1999.

Le Temps: Do të mbështeteni te diaspora për të rimëkëmbur ekonominë e Kosovës?

A.K: Një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë, veçanërisht në Gjermani ose Zvicër. Vendi merr mbi 850 milionë euro në vit nga diaspora përmes transfertave bankare dhe kjo shumë po rritet çdo vit. Duhen përmendur këtu edhe paratë që hyjnë në vend në formë likujditeti që nuk përllogariten, si edhe shumat e shpenzuara nga ata që kthehen në Kosovë për të bërë pushime ose për t’u martuar. Të marra së bashku, paratë e diasporës përfaqësojnë 1,5 miliardë euro në vit ose 60% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit. Kosova funksionon si një shtet i Gjirit Persik, vetëm se ne nuk kemi naftë. ”Nafta” jonë është diaspora.

Le Temps: Këto para mbështesin konsumin, por ka 20 vjet që flitet për kanalizimin e tyre drejt investimeve produktive. Si do të kalohet në veprim?

A.K: Ne duam që këto para të jenë të dobishme për vendin, që të mos humbasin për një ekonomi mbijetese. Drejtuesit e Kosovës shpesh e kanë parë diasporën si një burim parash, por ne duam t’i shohim kosovarët jashtë vendit si investitorë, të cilët mund të presin kthime financiare. Sipërmarrësit e diasporës nuk duan domosdoshmërisht të bëjnë fitime të shpejta, por dëshirojnë të investojnë të sigurt në vendlindjen e tyre. Ata janë patriotë, duan të kthehen, prandaj ne duhet të rivendosim shtetin e së drejtës dhe të rrisim nivelin tërheqës të Kosovës. Ne, gjithashtu, duam të bindim studentët tanë, shkencëtarët tanë të kthehen në vend. Ka shumë kosovarë me arsim të lartë, shumë të talentuar që punojnë jashtë vendit. Ne mund të krijojmë një shërbim civil gjashtëmujor për diasporën, kështu të rinjtë do të mund të vijnë të punojnë vullnetarisht në institucione publike, në universitete, gjë që do të ishte e dobishme për të gjithë.

Le Temps: Bashkimi Europian këmbëngul në rinisjen e dialogut me Beogradin, por ju keni thënë se kjo çështje është e gjashta apo e shtata e përparësive tuaja.

A.K: Kjo çështje renditet e gjashta ose e shtata mes përparësive të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia … Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis për ta vendosur këtë dialogun të tretin ose të katërtin e përparësive të mia! BE dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa një treg të përbashkët, ne kemi nevojë për investime. Europa Juglindore po përjeton largim të trurit dhe BE duhet të na ndihmojë të ndalojmë këtë hemorragji. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen një ditë dhe mendoj se duhet të jenë të gjitha në të njëjtën kohë. Nëse një prej këtyre shteteve hyn në BE para të tjerëve, ne përsëri do të kemi probleme, siç është rasti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Integrimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, por BE duhet të na japë një afat, në mënyrë që qytetarët e rajonit të kenë një shpresë. Ne gjithashtu duhet të rishikojmë procesin e Berlinit për ta shndërruar atë në një Plan të vërtetë Marshall, me theks në demokratizimin, shtetin e së drejtës dhe arsimimin e brezit të ti. Ish-presidenti Trump pëlqente “faktet dhe interesat” dhe ne duhet t’i shtojmë kësaj “vlerat dhe parimet”. Shpresoj që Brukseli dhe Uashingtoni të jenë në të njëjtën gjatësi vale për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu si edhe Berlini dhe Parisi. Na duhet ky sinkronizim i dyfishtë, ky është çelësi i suksesit.

Le Temps: A mendoni se është braktisur ideja e shkëmbimeve territoriale me Serbinë?

A.K: Shpresoj se po, por nuk kalon as edhe një javë pa një ekspert të ri, pa një ojq të re që të dalë me një plan përrallor që do të zgjidhte të gjitha problemet e Ballkanit me një të rënë të shkopit magjik…

Le Temps: Në vend të dialogut me Beogradin, ju kërkoni t’i jepni rëndësi “dialogun të brendshëm” me serbët në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo?

A.K: Unë dua të angazhohem në një dialog të orientuar drejt zhvillimit me serbët e Kosovës. Të gjithë duhet të trajtohen njësoj dhe me respekt, por ne duhet t’i japim fund formulave si “një dialog për pajtimin” ose “një dialog historik”. Pse të mos bashkojmë fermerët shqiptarë dhe serbë dhe të flasim për farërat, plehrat, makineritë, prodhimin apo çmimin e karburanteve? Le të fillojmë duke bërë diçka, në vend që të përsërisim të njëjtat pyetje. Sa i përket dialogut me Serbinë, ai duhet të bëhet për të mirën e njerëzve. Deri më tani, kishte të bënte me atë se çka përfitoi Vuçiç, çfarë përfitoi Thaçi… Drejtuesit autokratë i bënin takimet e tyre pas dyerve të mbyllura, në fshehtësi të plotë.

Le Temps: Prej një kohe të gjatë ju keni mbrojtur të drejtën për të ribashkuar Kosovën me Shqipërinë. A është ende e rëndësishme kjo ide sot?

A.K: Kur Kosova u shpall e pavarur, kushtetutën e saj e shkruan të tjerët, dhe kjo kushtetutë përcakton se vendi nuk ka të drejtë të bashkohet lirisht me vendet e tjera. Sovraniteti ynë është i kufizuar. Kur ne të jemi vërtet të pavarur, ne gjithashtu do të kemi të drejtën të heqim dorë nga kjo pavarësi, për shembull të bashkohemi në një federatë… Sidoqoftë, gjëja thelbësore është respektimi i procedurave demokratike dhe ne kurrë nuk do të jemi në zanafillën e një lufte të re!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>