Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë akuzat e partive opozitare që kinse është duke i dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket anulimit të projektit për gazin.
Kurti sqaroi se informacionet dhe aludimet e shumta, nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me MCC.
“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka thënë Kurti për Ekonomia Online.
Ndërkaq, për samitin në Slloveni ku do të marrë pjesë bashkë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ai ka thënë se është i interesuar për marrëveshje ku Kosova trajtohet e barabartë e prej të cilave përfitojnë qytetarët.
“Ne jemi të hapur dhe të gatshëm, për marrëdhënie sa më të mira fqinjësore, ku në mesin e këtyre gjashtë shteteve vetëm Serbia nuk na njeh, dhe për shkak të ndikimit të saj as Bosnja dhe Hercegovina. Është interesante që shtetet që janë në NATO, të Ballkanit Perëndimor e njohin Kosovën, pra për marrëveshjet ku ne trajtohemi të barabartë dhe i ndihmojnë qytetarët padyshim që jemi të gatshëm, edhe sa i përket diplomave e kualifikimeve, padyshim që jemi të interesuar”, u shpreh Kurti.
koha