Kurti: Punët kurrë më mirë nuk i kemi pasur me Amerikë / Grenell: Marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë më të ulëta.

Kurti GrenellKryeministri Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së emisarit për Misione të Posaçme të SHBA-së, Richard Grenell, i cili ka thënë se Kurti po mashtron kur thotë se ka marrëdhëniet më të mira me Uashingtonin krahasuar me qeveritë paraprake.

 

Kurti ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se tani, teksa ka theksuar blerjen e helikopterëve e avancimin e raporteve në aspektin diplomatik e mbrojtje.

“Çka të bëj unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i analizojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu. Punët kurrë ma mirë nuk i kemi pasur (.v.j. me Amerikën) Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së  sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh nga Amerika e kemi marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik, por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji. Nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”, ka thënë Kurti në televizionin lokal “Istogu Channel”.

Gjatë kësaj interviste, Kurti ka folur edhe për ftesën për të dëshmuar në Prokurori Speciale, për çka ka thënë se kjo prokurori po frikësohet të shkojë ta intervistojë në zyrën e tij.

“Unë nuk i frikësohem Prokurorisë aspak, madje i kam ftuar për të ardhur por ata po frikësohen të vijnë. Unë u thashë që guxoj të mos vij, tash ta shohim a guxoni ju të vini. Ata nuk erdhën, nuk ka më as ftesa e as asgjë. Kjo tregon se ka qenë politike. Po të mos ishte politike, e kishin vazhduar ata. Ka një trekëndësh këtu të oligarkëve, të prokurorisë dhe portaleve. Ky është trekëndëshi i Bermudave ku ata po përpiqen ta fundosin anijen e Kosovës si Republikë, meqenëse ata e duan anije tregtare, jo një vend ku qytetarët janë të barabartë por ku ata që e kanë mallin, e caktojnë drejtimin. Ashtu nuk ka më”, ka thënë ai.

Gjatë fushatës parazgjedhore, Kurti nuk ka dhënë asnjë intervistë për televizionet kombëtare.

 

Grenell reagon sërish  “marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë më të ulëta”

Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, e ka quajtur delirant kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të deklaratës mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Kurti ka përsëritur të enjten se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se gjatë qeverisjes së tij.

Por, Grenell ka reaguar sërish duke thënë se “marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë më të ulëta”.

“Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata Biden, NATO, BE-ja, Ambasada amerikane, Anthony Blinken, etj”, ka shkruar Grenell në platformën X, ndërsa ka bashkangjitur deklaratën e Kurtit: “Albin Kurti i përgjigjet Grenellit: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të mira se kurrë”.

Polemikat mes të dyve kanë nisur ditë më parë kur Grenell fillimisht i reagoi Kurtit se deklarata e këtij të fundit për “marrëdhëniet e mira me SHBA-në” janë mashtrim. Madje, Grenell pati shkruar më 3 shkurt se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit”.

Kurti të enjten në një televizion lokal ka thënë se “nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”. Ndërsa ka insistuar për marrëdhënie të mira me SHBA-në, ai ka përmendur blerjen e helikopterëve e avancimin e raporteve në aspektin diplomatik e mbrojtje.

koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>