16:04 Nis takimi Merkel – Kurti
Ka nisur në Tiranë takimi i kancelares gjermane Angela Merkel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Bashkë me Kurtin është edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në takim pritet të diskutohet për raportet bilaterale mes dy shteteve dhe bashkëpunimin rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian.
16:27 Përfundon takimi Kurti – Merkel
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Takimi është mbajtur në Tiranë, ndërsa pas pak pritet të deklarohen Kurti e Merkeli.
Kurti: Procesi i Berlinit i mjaftueshëm për të mos pasur alternativa tjera
“Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe mjaftueshëm i thellë që të mos ketë variante të tjera alternative”, ka thënë Kurti duke iu referuar edhe nismës për Ballkanin e Hapur, e të cilën Kosova bashkë me Malin e Zi dhe Bosnjën e kanë refuzuar.
“Në bisedat që pata unë theksova që nuk duhet të ketë fonde evropiane pa vlera evropiane. Për vendet tona theksova se janë elemente të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë 1. Sundimi i ligjit i cili vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve 2. Demokratizimi i cili mundëson media të lira dhe të pavarura. 3 Ballafaqimi me të kaluarën. Dhe 4. Reciprociteti i të drejtave të pakicave”, tha Kurti. “Dallimi mes Procesi të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është që në të dytin nuk e kemi BE-në. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi e ta kërkojmë njohjen e saj e jo të presim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Në fakt, Kurti është kritikuar shpesh nga kryeministri Edi Rama për refuzimin që të bëhet pjesë e nismës ku janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Është kritikuar edhe sot, në ditën kur u takua me Merkelin.
Kurti ka folur edhe për dialogun me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.
“Sa i përket raporteve të Kosovës dhe Serbisë nga pikëpamja jonë ato janë dy shtete që zhvillojnë dialog për statusin e marrëdhënieve në të ardhmen. Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Kosova nuk mund të kthehet para 2008 kur e ka shpallur pavarësinë”.
Kurti pas takimit me Merkelin: Nuk na u kërkua që të përfshihemi në Ballkanin e Hapur
Kurti ka thënë se nuk është interes që me një Serbi që nuk e njeh Kosovën të bëhen bashkë.
“Gjatë takimit që patëm unë e falënderova kancelaren gjermane Merkel për rolin e saj të jashtëzakonshëm. Ne kemi nevojë edhe për bashkëpunim sa më të madh mes Kosovës e Gjermanisë. Nuk është kërkuar që të përfshihemi në Ballkanin e Hapur. Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne nuk e konsiderojmë në interes që me një Serbi që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të bëhemi bashkë. Nuk bënë që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë e cila mohon krimet dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti: Serbia duhet të ndryshojë Kushtetutën, jo Kosova
Kryeministri Kurti ka kritikuar paraardhësit e tij për siç ka thënë ai, kompromise pa rezultate në fund.
“Paraardhësit e mi kanë bërë kompromise e ku është njohja e Serbisë. Doli që kompromiset kanë qenë të gabueshme. Është Serbia ajo që duhet të ndryshojë Kushtetutën e jo Kosova”, ka thënë Kurti në konferencën për shtyp në Tiranë, pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Kurti për padinë ndaj Serbisë për gjenocid: Po mbledhim dokumentacionin, duhet kohë
Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, sa i përket padisë ndaj Serbisë për gjenocid, ka thënë se kjo punë merr kohë.
Ai ka thënë se po mblidhen materialet.
“Jemi duke bërë përgatitjet për këtë, përgatitje të cilat janë të mëdha sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, andaj nuk mund ta bëjmë shpejt e shpejt”, tha Kurti.
Sa i përket Procesit të Berlinit, Kurti ka thënë se beson se do të vazhdojë edhe pasi t’i kalojë mandati kancelares gjermane Angela Merkel.
“Besoj që Procesi i Berlinit do të vazhdojë pas kancelares gjermane, çfarëdo të jetë forma dhe formati nuk mund ta them, por unë nuk besoj se do të ndryshoj”, tha Kurti.
Kurti: Reciprociteti ndaj Serbisë do të vendoset, s’ka ndryshe
Ai ka thënë se po bëhen përgatitjet.
“I kam shkruar letër të gjitha qeverive të BE-së dhe jo vetëm, ku kam renditur shkeljet që po i bën Serbia. Po pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset pasi nuk ka ndryshe. Mirëpo, me ministren Rozeta Hajdari dhe me doganat tona po përgatitemi që ta zbatojmë atë, sepse asnjë qeveri nuk ka zbatuar reciprocitetin. Ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se problemi është Serbia, e jo shqiptarët apo Kosova.
koha