Kurti: Serbia bëri spastrim etnik administrativ të heshtur në Luginë

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në këtë takim morën pjesë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, rkyetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit zryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati. Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu, njofton Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit.

Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

“Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri, thuhet në këtë njoftim.

Kreu i qeverisë më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.  Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani.

“Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës”, thuhet në përfundim të këtij njoftimi.

rtk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>