Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa iu ka drejtuar Forumit të Paqes në Paris, tha se Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë 11 vjet më parë, ndërkaq edhe pas 11 vjetësh raportet nuk janë më të mira dhe, sipas tij, ka një arsye të qartë për këtë.
Në këtë diskutim në Forumin për Paqe në Paris, kreu qeveritar tha se, ndonëse BE-ja po përpiqet fort të ndërmjetësojë për normalizim marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë normale.
“Duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës. Bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve e ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obligative, me njohje të ndërsjellë në qendër të saj”.
Kurti tha se është përkushtuar të jetë konstruktiv në këtë proces, porse sipas tij, Serbia duhet të distancohet edhe nga e kaluara e Millosheviqit dhe e tashmja e Putinit. “Sepse kjo do të na ndihmonte shumë për të arritur marrëveshjen, për t’i dhënë drejtësi viktimave dhe për të arritur atë marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, tha ndër të tjera Kurti.
Kryeministri tha se Serbia vazhdon të jetë forca hegjemone rajonale në Ballkan, derisa ka treguar se si shteti serb në kufi me Kosovën ka ndërtuar 48 baza ushtarake, ndonëse këtë fakt e quajti rrezik të madh për Kosovën, tha se janë shumë vigjilent, por asnjëherë të frikësuar.
“Rreth kufijve të Kosovës me Serbinë në të ashtuquajtura zona të sigurisë së terrenit që është 5 kilometra si vijë që prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, ekzistojnë 48 baza të veprimit në pararojë me qindra mijëra ushtarë, 28 prej të cilave baza ushtarake janë xhandarmëri e të tjerat ushtarake. Është rrezik i madh për vendin tonë. Jemi shumë vigjilentë, por asnjëherë të frikësuar”, tha kryeministri.
Ai tha se Kosova nuk është në NATO, por e ka NATO-n brenda saj.
“Historia e Kosovës e ajo e NATO-s janë të ndërthururura, por edhe e ardhmja e të dyjave është e ndërthurur. Duam t’i bashkohemi Partneritetit për Paqe e sa më shpejtë të jetë e mundur të integrohemi në NATO. Pasi të kemi fituar njohjen nga pesëshja evropiane, menjëherë do ta shfrytëzojmë këtë që t’i bashkohemi NATO-s në rrugën më të shkurtër të mundshme”, tha Kurti, derisa ka treguar për milionat që kanë ndarë për të forcuar Ushtrinë e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit në kryeqendrën franceze foli edhe për pasojat që ka sjellë lufta e Rusisë në Ukrainë edhe për Kosovën.
Tregoi se inflacioni është rreth 12 për qind, por tha se përkundër kësaj projektojnë sërish 4 për qind rritje të bruto-produktit vendor.
“Pra, po arrijmë t’ia dalim me sukses, së paku deri tash, sepse çmimi i energjisë është rritur e pastaj edhe çmimet tjera kanë pasuar atë”.
Ai tha se Kosova ka një masë të madhe të mallrave të importuara e në këtë mënyrë importohet edhe shkalla e inflacionit nga jashtë, derisa ka treguar për pakot financiare të qeverisë t ndara në ndihmë të qytetarëve, atë të ringjalljes ekonomike dhe rimëkëmbjes.
Kurti nga Parisi: Serbia kërkon më shumë konflikt se sa bashkëpunim
Sipas kreut qeveritar, Serbia ka dështuar më demokratiziminin e vetë dhe kërkon më shumë konflikt se sa bashkëpunim.
“Serbia ende i jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i dënojë e gjykojë. Kam frikë që Serbia nuk është as demokratike as e pavarur, është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri kosovar tha se shteti që ai drejton kërkon marrëdhënie fqinjësore të mira me Serbinë, por ajo që nuk ofrojnë më shumë, janë koncesionet.
“Kosova kërkon marrëdhënie fqinjësore të mira me Serbinë fqinje dhe jemi të gatshëm të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë më janë koncesionet për të ndarë vendin tonë në vija etnike e të tjera”, tha tutje ai.
Kurti foli edhe për mosnjohjen nga 5 shteteve anëtare të BE-së. Tha se duhet ta kuptojnë, kështu po i fuqizojnë ata që kërkojnë konflikt.
“Nëse Serbia nuk është gati, le të na njohin pesë shtetet anëtare të Evropës. Nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë edhe Serbinë që të na pranojë më shpejtë, nëse ata na pranojnë së pari”, tha kryeministri.
Gjatë këtij fjalimi, nga Parisi kreu qeveritar tha se paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia.
“Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta për dominim. I shohin shtetet me thjerrëzat e etnisë, sepse nuk besojnë ne vlerat e demokracisë, ku qytetaria ka të bëjë me bindje ndaj institucioneve të ligjshme dhe përqafimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të barabarta. Kjo është themelore, duhet të jemi vigjilent dhe nuk mund të lejojmë që fashizmi të fitojë legjitimitet për shkak se kontinenti ynë është vënë në zjarr disa herë. Atë që ne e shohim në Ukrainë është e qartë, është fashizëm rus”, tha Kurti.
rtk