Kurti s’heq dorë nga reciprociteti për targat: Ose të dyja do t’i mbajmë, ose të dyja do t’i heqim

Kurti s’heq dorë nga reciprociteti për targat: Ose të dyja do t’i mbajmë, ose të dyja do t’i heqimKurti s’heq dorë nga reciprociteti për targat: Ose të dyja do t’i mbajmë, ose të dyja do t’i heqim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga reciprociteti për targa të përkohshme për veturat që vijnë nga Serbia. Sipas tij, ose të dyja shtetet kanë të drejtë, ose të dyja e kanë gabim. “Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë ai në një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it të martën, një ditë pasi Qeveria vendosi të zbatojë reciprocitetin për targat e veturave nga Serbia.

Të hënën, autoritetet nisën me zbatimin e kësaj mase. Si pasojë qytetarë serbë nisën të protestojnë duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës. Pas situatës së tensionuar, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë i kanë shkuar Kurtit në zyrë. Në këtë takim, siç ka njoftuar Qeveria, u diskutua për vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, thuhet në njoftim.

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se policët janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Ai ka potencuar se qytetarët serbë s’kanë pse të ndihen të frikësuar.

“Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.

Në fund, komunikata përfundon me njoftimin se “Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”.

Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Kosova tërheqjen e trupave nga veriu. Ai madje i dha Bashkimit Evropian një muaj që t’i përgjigjet nëse marrëveshjet e Brukselit kanë skaduar apo jo.

koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>