Kurti: Shtetin e kapur e çlirojmë me votë

AlbinKryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të premten se sfida kryesore e Kosovës 21 vjet pas çlirimit nga Serbia, është “çlirimi nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit” dhe kjo do të ndodhë me votën e qytetarëve të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një manifestim të lëvizjes Vetëvendosje të premten në qendër të Prishtinës për të shënuar përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e themelimit të lëvizjes.

“Para 21 vjetësh, këmbësoria e NATOS-s hyri në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës. Sot kujtojmë dhe festojmë këtë liri që e fituam me gjakun e ushtarëve tonë, me luftën e UÇK-së dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Sot e kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e mbi 13 mijë civilëve, zhdukjen po ashtu, përdhunimet masakrat e dëbimin e masiv, djegiet dhe gjymtimin e ekonomisë e infrastrukturës. Sot i jemi falënderues NATO-s dhe SHBA-së për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike”, tha ai.

Zoti Kurti tha se 21 vjet pas çlirimit nga Serbia, sfidë mbetet çlirimi nga “korrupsioni dhe kapësit e shtetit”.

“Dymbëdhjetë qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, por pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm, pati filluar një sundim nga brenda – njëherë nga UNMIK-u, që nuk solli as zhvillim demokratik e as progres ekonomik, e pastaj përmes një kaste të politikanëve që, në emër të çlirimit, filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërimin e popullit”, tha ai.

Zoti Kurti, udhëhoqi qeverinë e Kosovës nga 3 shkurti deri më 3 qershor. Qeveria e tij u rrëzua me një mocion mosbesimi të Lidhjes Demokratike, ish partnerit të saj të koalicionit, e cila mori përsipër drejtimin e qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje kërkon që sa më parë të mbahen zgjedhje të reja duke e cilësuar qeverinë aktuale të paligjshme. Ish kryeministri Kurti, akuzoi partitë në pushtet se i janë nënshtruar vullnetit të presidentit të Kosovës.

“Ju ishit dëshmitar se si presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në parlament, u vërsul me gjykata e me të gjitha institucionet kundër qeverisjes së mirë. Natyrisht, ai te lëvizja Vetëvendosje nuk gjen bashkëpunëtor por i gjeti te Lidhja Demokratike, udhëheqësja e së cilës e braktisi qeverisjen e mirë dhe i braktisi qytetarët të cilëve u premtoj një qeveri të ndryshimit. Tani janë të gjithë së bashku me një qeveri koti që për kumbarë e ka presidentin e PDK-së. Por mirë që janë bashkë sepse këta bashkë kanë qenë që 20 vjet në vjedhje, në zhvatje e korrupsion. Në mesin e kësaj pandemie që po rrezikon shëndetin tonë dhe që i vendosëm maskat për të mbrojtur shëndetin e secilit më në fund ranë maskat e një kaste politikanësh”, tha ai.

Qeveria e kryeministrit Kurti u rrëzua më 25 mars vetëm 50 ditë pas formimit të saj në bazë të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar në të cilat Vetëvendosje doli e para.

“Padrejtësia që u bë në mars të këtij viti ndaj qytetarëve që votuan për ndryshim është vetëm një episod i trisht që qytetarët do ta kujtojnë në zgjedhjet e reja sepse në demokraci padrejtësitë i luftojmë me votë, të korruptuarit i dënojmë me votë, shtetin e kapur e çlirojmë me votë”, u tha ai pjesëmarrësve të tubimit që përgjatë manifestimit bënë thirrje për zgjedhje të reja.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>