Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbajtën një konferencë të përbashkët për medie lidhur me shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se përgjatë dy ditëve të fundit janë marrë një sërë masash për të identifikuar, evidentuar dhe evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët Kosovës.
Kurti e ka krahasuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit me sulmet ruse kundër Ukrainës. Kjo pasi, sipas të parit të qeverisë, përmes këtij sulmi synohej të dëmtohej infrastruktura kritike e vendit, që qytetarët të mbeteshin pa ujë, pa energji, ngrohje e telekomunikim.
“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendëse. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën e Kosovës. Ky do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B. Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë”, tha kryeministri.
Sipas tij për javë të tjera potencialisht do të ngeleshim pa energji dhe, kësisoj, do të rrezikoheshin edhe shërbime tjera që varen nga energjia.
“Nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por rryma. Nuk është vetëm rryma, por edhe ngrohja. E nuk është vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Ky sulm duket që ka lidhje me sulmet ajrore të Federatës ruse kundër Ukrainës. Sulme këto që ishin të drejtuara kundër infrastrukturës energjetike”, deklaroi kryeministri.
Kurti: Serbët e Kosovës bashkëpunojnë shumë mirë me Policinë
Kuti në pyetjen e gazetares serbe lidhur me intervenimin e Policisë së Kosovës tha se asnjë aksion policor nuk është kundër askujt në baza etnike, sikundër portalet në Serbi përpiqen ta pasqyrojnë gjendjen këtu. Ai më tej shtoi se ata përpiqen më shumë të pasqyrojnë përshtypjen se Polica është vetëm e shqiptarëve dhe maltreton serbët, gjë që, sikundër tha Kurti,kjo nuk është e vërtetë.
“Shumë serbë, qoftë në jug, qoftë në veri, janë ata që thërrasin Policinë e Kosovës, njoftojnë dhe lajmërojnë veprime të ndryshme të dhunës, incidente etj.”, u shpreh Kurti, teksa shtoi se qytetarët serbë të Kosovës bashkëpunojnë shumë mirë me Policinë e Kosovës.
Ndërkaq lidhur me pyetjen për ngjarjen e ndodhur në Varage të Zubin Potokut, Kurti tha se nuk jam gjyqtar e as polic që të di se deri ku kanë arritur hetimet. “Është ende herët dhe ende është vikend, e që ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma, pra ende nuk di se deri ku kanë arritur hetimet”.
Rizvanolli: Kishim planë për të siguruar qytetarëve ujë të pijshëm
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencën për medie tha se përgjatë dy ditëve të fundit fokusi i ndërmarrjeve publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve tjera ka qenë në zgjidhjet emergjente për të siguruar furnizim me energji dhe ujë.
“Së bashku me KEK-un kemi parë alternativat e ftohjes përmes termocentralit Kosova B. Rezervat e ujit të ftohjes në KEK janë monitoruar gjatë gjithë natës. KEK ka siguruar kapacitete deri 150 MW nga Korporata e Energjisë e Shqipërisë. Brenda 36 orëve ka pasur reduktime të plota ose të pjesshme.
Rizvanolli, tha se për tu siguruar qytetarëve ujë të pijshëm, ka pasur një plan që në të gjitha komunat e rrezikuara të ketë furnizim me autobot.
“Për tu siguruar qytetarëve ujë të pijshëm, ne kemi pasur një plan që në te gjitha komunat e rrezikuara të ketë furnizim me autobot. Mbrëmë furnizimi me KEK ka arritur në nivel optimal. Derisa po flasim të gjitha fabrikat e ujit janë në funksion dhe furnizimi është kthyer”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
rtk