Kurti: Të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian

AlbinKryeministri i Kosovës Albin Kurti i quajti të dielën të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndërsa theksoi se nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit.

 

Ai i bëri këto komete një ditë pasi që një zëdhënës i Bashkimit Evropian konfirmoi se masat ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës tashmë kanë hyrë në fuqi dhe se për këtë janë njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor.

Hyrja në fuqi e masave ndëshkuese për Kosovën sipas zyrtarëve evropian pasuan mosndërmarrjen e hapave nga autoritetet në Prishtinë që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Masat parashohin “pezullimin e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimin e financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike përveç atyre që lidhen me dialogun”.

Kryeministri Albin Kurti tha sot gjatë një vizite në komunën e Shtimes rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës se këto nuk janë sanksione por masa të përkohshme e të padrejta.

“Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet edhe autokratik edhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jetë e plotë e mbase edhe të rritet për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, tha ai.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që zgjidhja e problemeve aktuale në veri të Kosovës të bëhet në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, që kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen e serbët e Kosovës në to.

“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, pra me njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur publikisht në të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova edhe Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të dielën se është shumë i shqetësuar për situatën me të cilën po përballen serbët në Kosovë. Ai e quajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si Zelenski i ri duke ju referu presidentit të Ukrainës ndërsa tha se qeveria në Prishtinë po përgatitet për një ofensivë shtesë ndaj serbëve që ka për qëllim largimin e tyre nga Kosova.

Kosova dhe Serbia po përballen me tensione të larta të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet e Prishtinës nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës, vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së arritur në fillim të këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>