Kurti thotë se me shumë gjasa do të shkojë t’i përcjellë ndeshjet e Kosovës në futboll

albin_kurtiKandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do të shkojë në stadium për të përcjellë ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në futboll.

“Gjasat janë maksimale që do të shkoj në miqësoren me Gjibraltarin, por edhe me Malin e Zi. Jam kureshtar sepse unë jam një fëmijë i të ’80-ave, kur me babanë kam përcjellë paradite boks e pasdite futboll. Unë besoj që ndoshta një pjesë të madhe të formimit tim politik është pikërisht për shkak të politizimit të sportit në ato vite. Sot Kosova po fiton, e edhe atëherë KF Prishtina ka qenë fantastike, që fatkeqësisht nuk është sot”, tha Kurti në Interaktiv të KTV-së.

Ai foli edhe për ligën e përbashkët të futbollit me Shqipërinë e më pas edhe me Maqedoninë.

“Jemi shtete të vogla për të pasur liga secila. Duhet të shkojmë kah cilësia. Me zhvillimin ekonomik në njërën anë, dhe me formimin e disa ligave tjera, do të entuziazmoheshin të rinjtë e do të merreshin më shumë me sport. Kështu mund të krijojmë një antidot ndaj ndikimeve teknologjike”, u shpreh Kurti.

Për pjesëmarrjen në paradën e komunitetit LGBTI më 10 tetor, Kurti tha se të drejtat e njeriut duhet të respektohen pa kompromis dhe pa rezervë.

“Unë pranoj prezencën e pakicave, dhe jo vetëm atyre kombëtare. Pjesëmarrjen në paradë besoj se s’do ta humbasë presidenti, person të cilin s’e kam në qejf”.

“Kushtetuta është liberale për martesat e gjinisë së njëjtë”, tha Kurti.

Ai foli edhe për pasurinë e tij dhe të gruas së tij, duke thënë se nuk asnjëri nga ta nuk janë të pasur.

“Jemi dy lokomotiva në familjen tonë. Jam me shumë fat që, përveç se e kam grua, e kam edhe bashkëbiseduese të mirë”.

Kurti në fund tha se me ardhjen e tij në Qeveri do të ketë transparencë radikale.

“Transparencë radikale sepse nuk ka kuptim ndryshe demokracia. Dyert e hapura, duart e pastra dhe ‘punë-punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë’”, përfundoi kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti.

00:47

Pesë pikat e Kurtit për dialogun me Serbinë, si kryeministër

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se, nëse ai fiton zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, dialogun me Serbinë do ta ketë të bazuar në pesë pika.

Teksa ka thënë se si kryeministër do të udhëhiqte vetë dialogun, Kurti ka bërë të ditur se fillimisht do të bënte diskutim të brendshëm me serbët në Kosovë.

Si pikë të dytë, ka thënë se brenda muajit të parë do të “mbyllja kapitullin e 33 marrëveshjeve të deritashme”.

“Duhet t’i shikojmë që të dimë ku jemi e si të ecim përpara”, ka thënë ai.

Në pikën e tretë, Kurti ka thënë se do “dialog për dialog”. Këtu ka deklaruar se do të takonte pasardhësin e Mogherinit në politikën e jashtme të BE-së, që të “merremi vesh se si të dialogojmë me Serbinë”.

Në dy pikat e fundit, Kurti ka thënë se janë më kryesoret duke shtuar se “duhet konsensus nacional, përfshirë opozitën, që të marrë fund koha kur Serbia ishte pykë në Kosovë”.

“Do të diskutojmë në Parlament e bashkë të bëjmë ekipin negociator, platformën, por edhe një listë kërkesash ndaj Serbisë, për reparacionet e luftës, suksesionet e Jugosllavisë, e kërkesa për njohje t’i bëhet Serbisë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se këtë kërkesë do t’ua përcillte edhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Ka studime që nxjerrin dëme deri 20 miliardë euro. Ka vlerësime për Postën, Trepçën. Këto t’i grumbullojmë, pos asaj për vrasje e përdhunime. Duket ironike, por Serbia ka qenë gjithmonë element përbashkues për shqiptarët”, ka thënë tutje ai.

Kurti ka thënë se me Serbinë do të kërkonte reciprocitet.

“Jam që të ketë reciprocitet, integritet, dinjitet. Këtë tarifën ndaj mallrave serbe besoj se e kanë sjellë, pos që të shtyhen, jo 10, jo 20, jo 100. Kanë bërë dëm që s’e kanë takuar prodhuesin vendor. Fitues ishin shtetet tjera. Tri ditë përpara të takosh komunitetin tonë biznesor, me dogana, policinë në kufij e tregtarët mund të bëje plan ku do të përfitoje nga kjo tarifë. Kam përshtypjen që të duken pak sikur Trumpi me Kinën. Në rastin e reciprocitetit trysnia ndërkombëtare do të përjetonte zbaticë”, ka shtuar ai.

00:39

Kurti tregon kur ka nisur ta pranojë flamurin e Kosovës

“Po shihet që PAN-i e ka pasur dhjamin rrotull, PDK-ja është ajo arusha me dhjamin përreth në dimër. PDK-ja me AAK-në janë në garë për vendin e tretë. Dhe nga ky panik ata sulmojnë”.

Kështu tha Albin Kurti, kryetari i VV-së, kur u pyet në lidhje me një dokument që thoshte se Glauk Konjufca ka qenë anëtar i SHIK-ut.

Tutje, ai tha se populli shqiptar nuk shitet, duke iu referuar blerjes së mundshme të votës nga PDK-ja, siç është akuzuar.

“Serbia ka pasur para më shumë se PDK-ja dhe s’ka mundur ta blejë popullin shqiptar. Njerëzit që e shesin shpirtin dhe bëjnë pak me djallin, shohin kështu. Çështja e korrupsionit është shumë më mirë sesa në Mal të Zi. Ata s’duhet të frikësohen nga unë, por prokurorët s’duhet të kenë frikë nga ta”, u shpreh Kurti në Interaktiv të KTV-së.

Kandidati i VV-së për kryeministër foli edhe për diasporën, duke thënë se ata janë lodhur nga haraçi në kufi e nga shumë gjëra tjera negative.

“AKP-ja duhet të marrë fund. Ndërmarrjet shoqërore t’i ristrukturojmë. 13 drejtorë shqiptarë janë në Siemens. U pata zhgënjyer kur ish-kryeministri e bëri një ish-bashkëluftëtar drejtor në Telekom. Unë besoj se e kthej trurin e diasporës në Kosovë”, tha më tej Kurti.

Për çështjen e flamurit të Kosovës, Kurti tha se një ditë do të nis procedurat për ndryshimin e tij, por jo së shpejti.

“Një ditë do të nis procedurën për ndryshim të flamurit, por jo së shpejti. Papunësisë e korrupsionit nuk mund t’ia vendosim përsipër edhe çështjen e flamurit. Kam qenë i indinjuar me të sepse s’ka pasur asgjë historike në të. Por, flamuri i Kosovës ka nisur të ketë konotacion pozitiv politik për mua për shkak se e ka veriun e Kosovës në të”, potencoi Kurti.

00:30

Kurti komenton rrahjen Abazi-Molliqaj, PSD-në e cilëson frikacake

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, ka komentuar përleshjen fizike të kandidatit të kësaj partie për deputet Haki Abazit dhe atij të koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj, dikur pjesë e VV-së.

Në Interaktiv të KTV-së, Kurti ka thënë se nuk e ka parë videon e përleshjes, teksa e ka quajtur mizerie veprimin e Molliqajt.

“Isha në veturë dhe aktivistët e shikonin. Po qeshnin, s’di pse. I shkuan pas shpine dhe ky ka arritur me i goditë e në fund ia morën çantën. Kjo është mizerie. Nuk e di pse mund të bien njerëzit aq ulët. S’pushojnë të të befasuari. S’i marr seriozisht sepse s’kam kohë. Kurrë më aktiv se tash s’kam qenë. Po punoj ditë e natë për qeverisjen e re. Jam kryeministër. S’kam kohë Ka diçka fëmijërore aty. Sikur të jetë në shkollë të mesme, në gjimnaz në vit të dytë. T’i shkosh prapa dikujt është s’di…”, ka deklaruar ai.

Ish-deputetët që ishin larguar nga VV-ja për në PSD, Kurti ka thënë se kanë përjetuar një “zhvlerësim në treg”. Sipas tij, ka pasur një ndërmarrje për të shkatërruar Vetëvendosjen.

“U pata thënë se ka vend në VV. Rrini diskutoni, i diskutojmë krejt paqartësitë. Rrini bre, jo po shkojmë. Në rregull bre shkoni. Është dëshpërim kamikazësh. Ka ndodhur një zhvlerësim i madh në treg. Derisa i morën ulëset e VV-së në bursën e Kuvendit mund të kuotoheshin jo keq. Në bufe është një ‘Wall Street i vogël’. Mua më duket shpesh sikur të ishte një ndërmarrje për ta shkatërruar VV-në. Ishte e menduar, bukur e planifikuar. Nga jashtë e nga brenda. Ideja ishte o të shkatërrohet VV-ja, ose të pranojë të kthehet në shoqëri aksionare. Por ne kemi demokraci të brendshme. Tash jo s’bën Albini të bëhet kryetar, veç dikush me konsensus absolut. As Papa nuk zgjidhet ashtu”, ka thënë ai.

Për rezultatin e PSD-së për zgjedhjet e 6 tetorit, Kurti ka thënë se kjo parti ka treguar frikë sublime, teksa ka hyrë në koalicion me AAK-në.

“Për rezultatin s’ka nevojë të presim 6 tetorin. Ta kesh kryetarin e kryeqytetit, një kryetar të komunës tjetër, të pretendosh se ke 12 deputetë e të mos guxosh të garosh vetëm, është frikë sublime. Mungesë absolute e besimit. Fatmir Limaj po garon vetë me Malishevë. Unë me ta s’jam i interesuar të marrë kohë. Preokupimi është sikur bora e parvjetme. Bora e vjetshme ishte shumë afër”, ka shtuar ai.

00:25

Kurti: Ka mundësi që kemi marrë para nga Devollët

“Haraçi i homologimit do të marrë fund. Do të nisin procedurat që dogana të mos jetë afër me Devollët, në atë vend ku i ndanë vetëm një perde e hollë”.

Kështu tha Albin Kurti, kandidati për deputet i VV-së për kryeministër të Kosovës, kur u pyet në lidhje me pretendimet e ish-anëtarit të VV-së, Florin Krasniqi, që tha se Kurti i ka marrë 20 mijë euro nga kompania “Devolli”.

Ai tha se nga kompania “Devolli” ndoshta edhe ka marrë para gjatë fushatave për mbrojtje të produkteve vendore, por thotë se kjo s’i amniston ata për përfitimet e jashtëligjshme.

“Në fushatat ‘Blej Shqip’, ‘Duaje Tënden’, ‘Bojkotoni produktet e Serbisë’, ka mundësi që Devollët kanë dhënë para. Na kanë dhënë edhe billborda falas në rrugën Prishtinë-Pejë. Perandorinë e tyre nuk e kanë me qumësht e me dyshekë. Është kjo një pjesë, por pjesa tjetër e tyre është kriminale. Me qeverisjen tonë s’ka më monopole. S’janë vetëm këta. Pjesa jolegjitime e fitimet duhet konfiskuar. Nëse ata paskan dhënë dromca diku, ose kanë ndihmuar ndonjë të varfër, shumë mirë kanë bërë. Nuk mund të jem kundër kësaj. Mirëpo, kjo nuk është amnisti për asgjë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se qeverisja e tij do të punojë që të çlirojë prokurorinë nga ekzekutivi dhe për të parë nëse “i ka penguar qeveria e PAN-it që të punojnë prokurorët”.

00:18

Kurti: PDK-ja u tall me veten kur e shtyu autobusin

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se PDK-ja është tallur me veten kur ka bërë një reklamë teksa shtynte një autobus.

“Këta kanë shumë para dhe blejnë shumë reklama. E pash që e shtynin një farë autobusi. Nuk munda ta besoj. Thash mos e ka bë dikush postin për me u tallë me ta, por e kishin bë vetë. Por a shtyhet autobusi? Autobusi duhet me u ndreq me mjeshtër. Shteti i Kosovës ka defekt e duhet me mjeshtër të rregullohet, jo me dalë 50 vetë për të shtyrë. Metafora e tyre ishte e qëlluar, por jo për të mirën e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, akuzat që PDK-ja po ia bën VV-së se nuk i ka raportet e mira me amerikanët, janë të pasakta.

“E pranoj me ambasadorin Delawie më 2015, 2016 dhe pjesën e parë të 2017-s s’jemi takuar. Ishte kundërshtimi i ‘Zajednicës’ e Demarkacionit dhe ai na kritikonte më tepër se pushtetin. Pastaj jam takuar me të, e me Kosnettin që shpeshherë po tejkalon VV-në me diskursin për luftën kundër korrupsionit. Në takime me ta kanë thënë kush e bën shumicën 61, kush i fiton zgjedhjet le të bëjë qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, PDK-ja po e sulmon VV-në nga paniku.

00:11

Kurti thotë se Qeveria e tij nuk do të emërojë prokurorë, por thotë se këtë e bën “Pronto”

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se me ardhjen e tij në krye të qeverisë, nuk do të emërojë prokurorë e kryeprokurorë.

Këtë tha ai se e bën “Pronto” e Hashim Thaçi.

“Pronto i emëron prokurorët. Unë nuk do ta bëj këtë. Është tejet e rëndësishme që Elez Blakaj të kthehet në Kosovë. Pa u kthyer ai, çdo sukses është i pamjaftueshëm. Do të bënte shumë mirë nëse do të kthehej. Kështu shërohet trauma kolektive që e kemi ne. Duhet ta kthejmë Elez Blakajn, duhet të kthejmë prokurorë e kryeprokurorë që e luftojnë krimin. VV-ja s’do t’i nxjerrë njerëzit nga puna, por do t’i punësoj. Ka punëtor që s’punojnë. VV-ja dëshiron departizim, profesionalizim dhe më shumë punë për shtet demokratik”, theksoi ai në Interaktiv të KTV-së.

Kurti foli për mbingarkesat në institucionet publike, ndërsa theksoi se më e ngarkuara nga to është Qeveria.

“Qeveria është e mbingarkuar. Ne jemi për shtet të fortë e qeveri efikase e të zvogëluar. Në Kosovë kemi më shumë qeveri se shtet. Duhet të shqyrtohen edhe agjencionet e pavarura shtetërore, jo duke i larguar njerëzit nga puna, por të bëhet organizim më i mirë i tyre. Njerëzit tek ne bëhen ministra apo kryeministra, për t’u bërë kryetarë komune. Dmth, i ndihmojnë komunat e veta”, shtoi ai.

Kandidati i VV-së, njëherësh kryetar i partisë, Albin Kurti, tha se qeverisë së Kosovës nuk i duhen më shumë se 12 ministri.

“Në ofertën që ia kam dhënë kryetarit të LDK-së në tetor të vitit të kaluar, kam thënë se qeveria e re duhet të ketë 12 ministri. Mua s’kanë ça më duhen 5 zv/kryeministra. 2-3 maksimumi. Duhet t’i forcojmë shefat e departamenteve, sekretarët permanentë. Janë pozita kyçe, nyje të sistemit. Por, jo duke shtuar numrin e ministrive për të rehatuar njerëz. Duhet rritur rroga në sektorin privat. Në 5 vjetët e fundit është rritur vetëm 15 euro në sektorin privat, e në sektorin publik 100 euro”, potencoi Kurti.

00:03

Kurti: Lumezi sikur këngëtar që s’këndon

Sipas kandidatit të VV-së për kryeministër Albin Kurti, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi është sikur një këngëtar që nuk këndon.

Duke folur për luftën kundër korrupsionit si prioritet nëse fiton në zgjedhjet e 6 tetorit, Kurti ka thënë se është i zhgënjyer me Lumezin.

“Jam i zhgënjyer me Aleksandër Lumezin, qartazi. Gjithë ky korrupsion, tregon se është një kryeprokuror pa aktakuza. Më përngjan në një këngëtar që s’këndon. Sikur rri në skenë e s’këndon. Duhet të ndryshojë, jo vetëm me emra të përveçëm”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se identifikimi i dy problemeve, “prokurorët e dobët dhe prokurimi i korruptuar”, është baza e nisjes së luftimit të korrupsionit.

Kurti ka thënë se duhet të bëhen panele për veting dhe që të rritet numri i prokurorëve për të luftuar korrupsionin.

23:56

Kurti: Dera e parë pas zgjedhjeve për koalicion do të jetë LDK-ja, por me fusnotë

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se pas 6 tetorit, kur, sipas tij, VV-ja t’i fitojë zgjedhjet, dera e parë që do të trokasë për koalicion do të jetë ajo e LDK-së.

“Dera e parë që do të trokas do të jetë ajo e LDK-së. Do të flas me kryetarin e subjektit. Por, mund të ketë deputetë të LDK-së që s’do t’më votojnë mua kryeministër, dhe uroj që ata të mos fitojnë”, tha Kurti në Interaktiv të KTV-së.

“VV-ja është shansi i fundit për Kosovën. Nuk duron më Kosova koalicione të së kaluarës. Ne do ta shohim me kujdes numrin e saktë të deputetëve të grupeve parlamentare, por edhe emrat e tyre. kur të del VV-ja e para, ndryshon gjithçka në Kosovë. Unë jam i interesuar që edhe pakicat jo-serbe, por edhe serbët jashtë Listës Serbe, të vijnë në Qeveri. Nën 1, PDK dhe Lista Serbe, të cilat asnjëra nuk janë parti, por janë shtete: njëra shteti i Kosovës, tjera i Serbisë. Ata duhet të mbesin në opozitë. Por, do t’i ftojmë serbët që njohin institucionet e Kosovës, si Rashiqin. Askund në Kushtetutë nuk thotë që doemos deputeti të bëhet ministër. Mund të bëjmë edhe dikë tjetër nga jashtë. PDK-ja e ka kap shtetin, e ka humb veten – duhet të dalë në opozitë. Duhet të bëhet parti, sikurse edhe Lista Serbe. Unë s’jam kundër Listës Serbe vetëm pse e kanë emrin e tillë, por jam kundër tyre sepse ata shkruajnë dokumente sikurse në vitet e 90-ta, si në kohën e Millosheviqit. Ky vend është Republikë dhe shtet i pavarur”, ka theksuar kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti.

“Zgjedhja jonë e parë është LDK-ja, por me fusnotë”, potencoi ai.

Kurti foli edhe për rrjedhën e mos-arritjes së koalicionit parazgjedhor me LDK-në, duke thënë se oferta e VV-së u refuzua nga Agim Veliu, e jo nga Vjosa Osmani apo nga Isa Mustafa.

“Aty ndodhi një zhgënjim i madh i imi. Unë s’i bëra ofertë Veliut, por ai doli e refuzoi ofertën tonë para Osmanit e Mustafës, dhe para se të mbahej mbledhja”, u shpreh ai.

23:49

Kurti: PDK-ja del në opozitë, vetëm nëse fiton VV-ja

Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër, ka thënë se vetëm fitorja e kësaj partie do ta nxirrte PDK-në në opozitë.

Sipas tij, cilado parti tjetër që fiton në zgjedhjet e 6 tetorit, PDK-ja do të jetë në pushtet.

“Them se i vetmi garancion që PDK-ja të shkojë në opozitë, është fitorja e VV-së. Kushdo që fiton tjetër, PDK-ja është në pushtet”, ka thënë ai.

Duke folur për sondazhet, Kurti ka thënë se LDK-ja ishte e para deri më 3 gusht kur Isa Mustafa u rizgjodh kryetar. Pas këtij momenti, sipas tij, VV-ja ka dalë përpara.

Ai ka thënë se LDK-ja s’mund të sjellë ndryshim në Kosovë.

“S’kemi organizuar sondazhe. Po punojmë ditë e natë sepse s’është koha për sondazhe, katër ditë nga e diela. Ai është sondazhi suprem. Ne kemi qenë prapa LDK-së në sondazhe, vetëm para 3 gushtit kur e kanë mbajtur këshillin e përgjithshëm. Kur s’ndodhi që fraksione të ndryshme të kishin kryetarin e tyre, jemi 1.5 përpara. Sot jam i bindur se jemi përpara. Njerëzit duan të ndërrojnë. LDK-ja s’mund të jetë ndryshimi, si kur ishte dy mandate me PDK-në. Mund të jetë nëse i bashkëngjitet VV-së. Në kundërshtimin e aventurave të presidentit ishim bashkë, por populli besonte sepse Vetëvendosje ishte aty. Të gjithë i ka provuar, ne po themi na jepni një shans, jo dy-tri. Të gjithë po e konstatojmë së bashku se kapja e shtetit është problemi më i madh. Çkapjen mund ta bëjë vetëm Vetëvendosje sepse të tjerët ishin aty”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të shohë se cilët njerëz fitojnë ulëset e deputetëve nga LDK-ja, për një marrëveshje të mundshme paszgjedhore.

“Në LDK është një marrëveshje, këtë e kam pa nga takimi që kisha me ta bashkë me Besnik Bislimin e Glauk Konjufcën, ku më i lumturi ishte shefi i shtabit (Lutfi Haziri), që s’u bë as kryetar i partisë e as kandidat për kryeministër. Ai mori dirigjimin e kësaj ndërmarrje dhe unë do ta vërej me vëmendje cilët deputetë të LDK-së kanë fituar. Duhet t’i shohë ata që e duan VV-në më shumë apo PDK-në. Ata s’janë homogjenë. Ne s’kemi këso probleme, ne s’duam të shkojmë me PDK-në. Është edhe fakti tjetër se ndoshta duan me ne, por ekziston frika nga PDK-ja”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se s’është i bindur për drejtimin e LDK-së që të mos hyjnë në koalicion paszgjedhor me PDK-në.

23:40

Kurti: Qeveritë s’po mund të përfundojnë mandatin sepse mashtrimet e tyre s’po u zgjasin më

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se arsyeja përse asnjë qeveri nuk po mundet të përfundojë mandatin e plotë është se mashtrimet e tyre nuk po ju zgjasin.

“Mashtrimet po zgjasin gjithnjë e më shkurt. Në legjislaturën e katërt ishte diç më shumë se 3 vjet, e pesta as 3 vjet, dhe tash e gjashta as dy vjet. Pra, skadimi i afatit të premtimeve pa mbulesë ka ardhur duke u tkurrur. Ky është zhvillim demokratik. Natyrisht se na duhet një qeverisje stabile, por kur je në rrugën e duhur. Krejt bombardimet që i janë bërë qytetarëve të Kosovës, nga treni rus, nga spektakli me arrestimin e Gjuriqit, jo takimi me Putinin… i kanë lodhur qytetarët. Më shumë njerëz kanë ikur pas shpalljes së pavarësisë sesa në 10 vjetët e okupimit klasik të Millosheviqit. Shkaqet kanë qenë tjera, por pasojat pothuajse të njëjta. Përpara iknin për t’u kthyer, tash s’kanë shpresë. Unë nuk besoj që ka kryeministër tjetër që mund t’i bëjë të diturit të kthehen në Kosovë”, ka thënë Kurti.

23:36

Kurti optimist për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 6 tetorit

Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër, ka thënë se është optimist se më 6 tetor, në zgjedhjet e parakohshme, do të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka deklaruar se “ka ardhur koha të adresohen brengat kryesore të qytetarëve”.

“Jam optimist për pjesëmarrje masive sepse kemi shans unik të mbyllim kapitullin e korrupsionit e nepotizmit e dy brengat kryesore drejtësia e punësimi të nisim t’i adresojmë. Tash është entuziazmi edhe më i madh se atëherë. Që mund të bëhet i treti pas çlirimit e 2008-s për pavarësi”, ka thënë ai.

koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>