Kurti : Veteranët e vërtetë meritojnë kompensim më të lartë se paga minimale

kurtiKryeministri i vendit, Albin Kurti sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës foli për pagën minimale dhe çështjen e veteranëve të luftës, ndërsa tha se nuk po shkon në Forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e Financave dhe kryetarin e Komisionit parlamentar për buxhet do t’i takojë përfaqësuesit e veteranëve njofton rtk.

 

Ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria e Kosovës me politikat dhe veprimet e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirimin e vendit.

“Unë nuk besoj se ne dallojmë për respektin dhe mirënjohjen për veteranët e luftës së UÇK-së… Ne mund të dallojmë me bindjen për numrin e tyre”, tha ai, duke shtuar se numri i veteranëve është fryrë.

“Dallojmë në përmbajtje të ligjit, aty ne kemi vërejtje, këtë kemi pasur edhe sa ishim në opozitë, ngase kemi vërejtur se aty ka fryrje te numri i veteranëve. Duhet te jemi te kujdesshëm për të sotmen e të ardhmen, t’u përmbahemi të vërtetës”, tha ai. Sipas tij, shteti ndan 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta e që është më shumë se për mbrojtjen e vendit.

“I bie 1.5 për qind të bruto produktit vendor”, tha Kurti, duke shtuar se paga jepet për ata që punojnë, ndërsa veteranët kompensohen si mirënjohje.

“Ne jemi që veteranët të kenë kompensim mirënjohje më të lartë se paga minimale”, tha Kurti, duke shtuar se është i interesuar dhe i gatshëm të bashkëpunoj me organizatat e dala nga lufta në mënyrë që të vijnë deri te numri i vërtetë i veteranëve, e që e shton dinjitetin dhe respektin.

“Ky dialog nuk është se nuk ka ekzistuar dhe nuk është takimi i parë edhe si kryeministër i kam takuar”, tha ai.

“Por besoj se ata janë përfaqësues të protestës, jo deputetët…. Njëherë Tahiri foli në emër të opozitës, pastaj të protestuesve”, iu drejtua Kurti deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

Kurti premtoi se do t’i takojë përfaqësuesit e veteranëve por për një ditë tjetër, duke premtuar se nuk do të shkojë në p[respë në takimin në nivel ndërkombëtar që po mbahet atje.

“Unë bëra dje një propozim shumë të qartë dhe të saktë. Zyra ime i kontakton organizatat e dala nga lufta, përkatësisht të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për takim nesër. Nëse thua vetëm sot, vetëm tash, kjo do të kishte kuptim, të hënën. Të hënën ka kaluar në lexim të parë projektligji që e ka rritur pagën minimale. Sot është absurde.

Dhe, së dyti, unë nuk mendoj që një deputet i opozitës, qoftë ai edhe më i miri, të flasë në emër të protestuesve, është gabim. Unë kam organizuar shumë protesta, por unë kam dalë në ballë kur kam organizuar protesta. Unë kam qenë aty dhe kam folur në emër të protestuesve. Kam qenë edhe kryetar i një subjekti që organizonte protesta, prandaj s’ka pasur problem legjitimiteti. Ju duhet ta kuptoni që nuk mund të flisni në emër të protestuesve. Nuk jeni në situatën që dikur isha unë. Nuk jeni, më vjen keq!”, tha kryeministri Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>