Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira dhe paqësore me Serbinë dhe është e gatshme që të zgjasë dorën e pajtimit përkundër krimeve të kryera në të kaluarën, por nuk do të bëjë lëshime që do të thellonin ndarjet në vija etnike.
Ai i bëri këto komente në Forumin e Paqes të Parisit përgjatë të cilit ishte paralajmëruar mundësia për një takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, por i cili nuk ndodhi.
Gjatë ditës kryeministri Kurti u takua me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe pas takimit tha në një komunikatë se “propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për një marrëveshje me Serbinë “shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.Zoti Borrell u takua edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb u tha mediave serbe se pret që “pas datës 21 nëntor një situatë shumë të ndërlikuar”, kur pritet të fillojë vënia e gjobave për atë që përdorin makinat me targa të lëshuara nga Serbia. Zoti Vuçiç kritikoi disa vende perëndimore për siç tha mbështetje ndaj veprimeve të autoriteteve në Kosovë.
Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha sot se zhvillimet në veri janë përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe që të imponojë kushte më të mira në tryezën e negociatave.
“Ne nuk e pranojmë këtë gjuhë si Republikë e Kosovës, kjo është gjuhë e shantazhit, bllokadave edhe e dhunës. Ne mendojmë se Kosova është në të drejtën e saj, nuk mund të lëshojmë pe përtej kushtetutës tonë e ligjeve që i kemi në Republikën e Kosovës. Gjithçka që është ilegale në Kosovë do të ndalohet edhe sundimi i ligjit do të ndodhë”, tha zoti Konjufca.
Ambasadori i Francës në Kosovë Olivier Guérot bëri thirrje të premten për vetëpërmbajtje të palëve lidhur me situatën e sigurisë në veriun e Kosovës. Ai i bëri këto thirrje në Prishtinë gjatë shënimit të përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
“Ne si Francë po bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje në kuptim të përgjegjësisë nga të gjitha palët, mendojmë se ka ardhur koha që tensionet të ulen”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se subjekti i tij ka bërë kërkesë për interpelancë në parlament me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë e cila sipas tij është ndër më të rëndat në këto 22 vjet.
“Serbia me aleatët e saj ka krijuar një skenar për destabilizimin e situatës në Kosovë duke urdhëruar përfaqësuesit serb në institucionet ne publike dhe ato të sigurisë që t’i braktisin. Për fat të keq veprimet e deritashme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar, kryeministri i vendit në vend që të përfill kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë zbatimin e marrëveshjes për targat ka zgjedhur skenarin më të keq zbatimin në faza të kësaj marrëveshje, me çka i k dhënë hapësirë Serbisë edhe ta luaj rolin e viktimës dhe të ndërmarr veprime anti Kosovë”, tha zoti Haradinaj.
Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të krijojnë hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Kryeministri Kurti tha në Paris se bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës dhe normalizimi nënkupton marrëveshje me njohje të ndërsjellë në qendër të saj.
“Unë nuk po them që në marrëveshje me Serbinë nuk mund të ketë pika të tjera të marrëveshjes, por njohja e ndërsjellë duhet të jetë pika qendrore”, tha ai.
Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ajo që ne nuk ofrojmë është koncesioni i mëtejshëm i krijuar për të ndarë shoqërinë dhe vendin tonë në linja etnike dhe fetare”.
voa