Bernard Kushner, administratori i parë i Kosovës në 1999, në dy vitet e vështira të pasluftës ndër ne, ishte në Tiranë për të marrë një nderim akademik nga Universiteti Europian i Tiranës.
“Jam shumë inkoherent, por pikërisht për këtë jam krenar!” Kështu reagonte Bernard Kushner, ndërsa dëgjonte biografinë e vet lexuar nga një profesor i Universitetit Europian të Tiranës në 19 shtator 2016.
Përkujtimi i një karriere aq të pasur, plot luhatje, edhe në rreshtime ideologjike, i solli në mend Bernard Kushnerit, pikërisht këtë devizë ndërsa fliste para një audience shqiptare, i veshur me shallin dhe mantelin e “Doctor Honoris Causa” të Universitetit Europian të Tiranës. Një shall që i binte vazhdimisht ndërsa ai parashtronte idetë e veta, me patosin që e karakterizon, pavarësisht moshës 76-vjeçare.
Kushner, administratori i parë i Kosovës në 1999, në dy vitet e vështira të pasluftës ndër ne, ishte në Tiranë për të marrë një nderim akademik, që nuk dihet pse nuk ia ka dhënë Kosova. E në këtë rast, foli në mënyrë ekskluzive për Kohën. Një intervistë e jashtëzakonshme prej një njeriu që ka shenjuar historinë e Europës në 40 vitet e fundit. Njeriut që konsiderohet si i pesëmbëdhjeti hebre më me ndikim në botë.
Ju keni harxhuar shumë kohë në Ballkan. Cilat janë ndjenjat tuaja tani që ju pranuat titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit Europian të Tiranës, një nderim nga bota akademike shqiptare?
Një ndjenjë mirënjohjeje dhe një ndjesi nderimi, plot admirim për këtë universitet, që është një universitet privat shumë i hapur, me profesorë cilësorë, me rreth 5000 studentë. 25 vjet pasi shqiptarët kanë dalë nga një komunizëm shtypës dhe vrasës, të kesh një universitet të këtij standardi është diçka e mirë megjithëse dikujt i duket një kohë bukur e gjatë. Natyrisht unë besoj se duhet shumë kohë për të ndërruar gjërat, për të ndërruar mentalitetet, për të ndërruar kulturat dhe unë e gjeta një Shqipëri të ndryshuar shumë për të mirë. Unë shpresoj që një ditë, opozita dhe shumica të flasin pak më shumë mes veti, të bëjnë gjërat së bashku, por kjo nuk është një kritikë që ja adresoj Shqipërisë, sepse të njëjtën gjë mendoj për Francën. Pra, ja, unë jam shumë i kënaqur dhe kam parë ndryshimin. Kam ardhur prej viteve ‘80, shumë herë në Shqipëri dhe të gjitha herët, përparimi ka qenë shumë i dukshëm. Këtë herë kam vizituar, strehimin sekret të Enver Hoxhës me 5 kate tunel të gërryer në mal: ishte me të vërtetë diçka që të krijonte ankth, kur mendoje se si për dhjetëra vjet pas luftës, situata ishte kaq e tendosur, kaq e përgjakshme dhe kaq e vështirë.
Reputacioni juaj në Kosovë mbetet në kuota të larta. Ndaj, këshillat dhe vizioni juaj për sfidat e saj do të priten me interes. Ju keni patur rol udhëheqës në shtetformimin e Kosovës. Në një farë mënyre ju i keni dhënë formë foshnjës së re së bashku me politikanë ndërkombëtarë dhe vendorë. Sot kur e shihni krijesën tuaj, a është ajo siç e keni menduar- politikisht, institucionalisht, ekonomikisht etj?
Jam shumë krenar që kam kontribuar në rolin tim, në përmasën time, në evolucionin e Kosovës. Jam me të vërtetë shumë krenar, sepse është një moment i jetës sime për të cilin mendoj dhe i rikthehem shpesh. Ka qenë vërtet një nga momentet më të mira për të bërë diçka për këta kosovarë që ishin të mbyllur në vetvete, që ishin të shtypur. Gjendja ishte ajo që ishte dhe unë nuk kisha dhe nuk kam asgjë kundër serbëve, asnjë urrejtje, përkundrazi kultura ime më afronte me ta. Duke mbetur te pavarësia, nuk ishte e mundur të bënim diçka tjetër, pas atij brutaliteti, kur miliona njerëz ishin të përzënë, me vrasje të përditshme, me milicitë serbe, me politikën e zotëri Milosheviçit, me fjalimin e tij në Fushën e Mëllenjave, Obiliq, thjesht nuk ishte e mundur të bënim diçka tjetër. Nuk ishte diçka e këndshme, por ishte kështu: një moment i dhunës në të cilin duhet të zgjidhje midis luftës dhe krimeve të tmerrshme dhe paqes! Ne kemi zgjedhur paqen! Dua t’jua them me krenari dhe pa arrogancë: është njëri nga të vetmet misione të suksesshme të OKB. Asgjë nuk është e përkryer, asgjë nuk është e thjeshtë. Sot UÇK dhe LDK mbeten dy ndërmarrje politike, dhe dy palë që dialogojnë, që bëjnë zgjedhje. Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës, megjithëse Serbia nuk e ka njohur Kosovën – diçka që është normale dhe do duhet të marrë më shumë kohë – po vazhdon, dhe madje intensifikohet qoftë për arsye teknike, qoftë për arsye tregtare, qoftë për arsye që lidhen me jetën e përbashkët. Është jo tamam jetë e përbashkët, por jetohet pothuaj bashkë në të njëjtin territor, e megjithatë ky dialog vazhdon. Pra, unë jam i kënaqur për një evolucion që do t’i duhet akoma ndoshta dhe disa dekada akoma për t’u përkryer. Nuk ka mjaft investime, nuk ka mjaft zhvillim në Kosovë, për fat të mirë është diaspora kosovare që sjell para. Do duhej që ky vend të mbështetej apo të përkrahej më shumë, jo vetëm me para, por edhe me iniciativa. Te ju ka një parlament që bën punën e tij, ka një president që është Hashim Thaçi, ka një qeveri, ka një ministër të punëve të jashtme, dhe pastaj ka sidomos kosovarë që janë më të hapur dhe më të sigurt. Eh pra, unë jam i kënaqur që kam kontribuar dhe jam i lumtur që jam kthyer shumë shpesh në Kosovë.
Ju e keni kundërshtuar raportin e Dik Martit, lidhur me trafikimin e organeve nga UÇK, por Gjykata Speciale po krijohet. Do të vendosë drejtësi apo do të nxisë qarkullimin e elitave dhe rotacionin politik?
E çfarë po presin për ta krijuar dhe për të vendosur drejtësinë? Ku ishte ky Tribunal? Shumë mirë që do kemi një Tribunal. Ky farë zotëri Marti ka gjetur vetëm një shiringë në një shtëpi të gjelbër në Shqipëri. Po kjo është qesharake. Çfarë është kjo histori e trafikut të organeve? Kurrë nuk e kam bërë në jetën time. Përkundrazi unë kam shpëtuar njerëz që kishin nevojë për të zëvendësuar organe. E mbani mend si ka qenë spitali i Prishtinës? Minus 20 gradë, nuk ka patur ngrohje dhe nëse mendoni se atje mund të bëhej transferim organesh kjo do të ishte e gjitha qesharake. Nëse UÇK ose dikush tjetër kanë bërë shitje organesh, kjo nuk është çështje e imja. Për më shumë unë as nuk kam qenë më fare në Kosovë në 2002-2003 sepse unë kisha shkuar. Por e gjitha kjo është qesharake. Nëse do të ketë një tribunal, ai duhet të bëjë një hetim, çfarë po presin? Ka dy vite që thuhet se po bëhet tribunali që është pranuar më herët nga Parlamenti i Kosovës.
Çfarë mendoni ju për 300 kosovarët që u nisën drejt Sirisë për të luftuar në krah të ekstremistëve? A e imagjinonit ju se Kosova me traditë të fortë sekulare do të dërgonte në Siri në krah të ekstremistëve islamikë një numër të madh luftëtarësh për frymë popullsie?
Kam menduar vërtet keq, por nuk jam i sigurt për shifrat tuaja. Kam folur me presidentin dhe besoj se nëse janë 300 është numër shumë i madh, por më duket se sidoqoftë janë shumë. Mund të jetë numër i fryrë, por dhe nëse janë 150 do të ishte një numër shumë i madh. Shikoni, jam me të vërtetë i shastisur prej brutalitetit të këtij lajmi, dhe çka përfaqëson. Nuk ka gjë më të keqe në botë sot, për momentin sesa DAESH, apo ISIS! Të dalësh nga një luftë si ajo e Kosovës dhe prej atyre krimeve të kryera mbi ty për të shkuar dhe kryer krime të tjera gjetiu në emër të një islami të falsifikuar, në emër të një feje myslimane -si ajo që është në Kosovë, fe që unë e kam njohur dhe që nuk kishte kurrë këto ngjyrime që sepse njerëzit ishin dhe janë myslimanë, të tjerët ishin dhe janë ortodoksë, e çfarë rëndësie kishte kjo si një çështje private, e pra isha me të vërtetë i dëshpëruar nga këto lajme! Megjithatë ka pak kohë që isha në Kosovë dhe mendova: shikoni gratë në Prishtinë, sepse për fat të mirë e ardhmja kalon prej grave! Ato nuk janë të mbuluara, ndërsa po të shkoni në Sarajevë ato janë shumë më të mbuluara! Unë kam shumë besim te Kosova, dhe i neveris ata njerëz që janë nisur në SIRI në emër të një Zoti të tradhtuar. Ky nuk është Zoti, nuk është Islami, dhe shpresoj shumë për çdo rast.
Kosova nuk po bëhet anëtare e OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara), për shkak të vetos së Rusisë. Rusia, megjithatë po lë të kuptohet se nëse perëndimi njeh aneksimin e Krimesë, mund ta njohë Kosovën si shtet. Çfarë mendoni ju?
Mendoj se ka kontradikta në historinë e botës. Nuk jam ndërkohë i sigurt nëse nga pala ruse kishte mbetur si e vetmja zgjidhje aneksimi brutal i Krimesë me forca ushtarake. Natyrisht mendoj se ka patur lidhje të forta të Rusisë me Krimenë, ka një prani ruse në Krime. Por ka dhe diçka të cilën Rusia duhet ta mbajë parasysh qartësisht. Nuk ishim ne bashkësia ndërkombëtare që e vendosëm fragmentimin e Bashkimit Sovjetik, por ishte një rus: ishte Jelcin, dhe pastaj Gorbaçov. Unë mendoj se do duhet kjo gjë të zgjidhej në bashkëpunim me Ukrainën. Kosova ishte dhe është e ndryshme: atje kishte një luftë, kishte vrasje të përditshme, kishte milici që vrisnin. Ne provuam ta mbanim Kosovën në Serbi, dhe ne e provuam se lufta pa paqen nuk është e mundur. Në Kosovë u shkua shumë larg me barbaritë, ndaj u mendua në një etapë të parë të shkohej te pavarësia e Kosovës. Pastaj nëse Serbia, nëse Kosova, dhe pse jo Shqipëria vijnë në Bashkimin Europian, pastaj mund të ketë aranzhime të tjera të mundshme, pse historia nuk është përfunduar.
Shpesh sporti ndikon imazhin e një kombi dhe vendimmarrjen ndërkombëtare rreth tij. Si e gjykoni ndikimin (pozitiv ose negativ) të tifozerisë shqiptare në Europian 2016 të futbollit, apo të këngëtarëve, sportistëve shqiptarë etj. në imazhin tonë ndërkombëtar?
Çfarë po thoni? Kupa e Europës? Çfarë kupe? Futbolli? Unë nuk di asgjë rreth futbollit, thjesht di që ekziston dukuria e mondializimit në botën e sotme, por mua nuk më plas fare, nuk më bëhet vonë për futbollin. Nuk e njoh, nuk më bëhet vonë, megjithëse e di se futbolli është shumë i rëndësishëm.
Nëse nuk ishim në gjendje të shpiknim diçka tjetër për të vendosur njerëzit së bashku, nëse nuk jemi në gjendje të shpëtojmë refugjatët në det, mua vërtet nuk më intereson asgjë tjetër veç kësaj. Shikoni këtë libër (tregon librin e vet në shqip), ky është libri im në shqip, pra dhe në gjuhën kosovare: ju lutem tregojani njerëzve dhe ta blejnë, sepse kjo është historia e paqes dhe jo e futbollit, më vjen keq. Paris Saint-Germain, Marseja, gjithë këto i dimë mirë se ç’janë, por mua nuk më plas fare. Unë e kam gabim, unë jam gabim.
Qarkullojnë ide për bashkim ekonomik të shqiptarëve, bashkim kombëtar pa kushte apo edhe krijim të një kombi të ri kosovar. Ju si i gjykoni këto ide?
Nuk e di, nuk jam shumë në rrjedha. Ju po flisni për një Shqipëri të madhe të bashkuar me Kosovën dhe së bashku me… ? Nuk di asgjë. Më parë ishte e ndaluar të flisje për këtë dhe thuhej se nuk duhej folur. Megjithatë këto popullsi e kanë prejardhjen e përbashkët nga ilirët, pra e kanë të njëjtën origjinë, kanë të njëjtën gjuhë, por ka pasur qartësisht katër shekuj të pushimit otoman, erdhi më pas beteja e Vjenës, ka pasur vende ortodokse që kanë fituar, pastaj otomanët, pastaj, pastaj, por kjo nuk është puna ime për momentin e dhënë. Unë jam shumë i kënaqur që kjo po ndodh në Bashkimin Europian, i kanë menaxhuar ndryshe marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet nëpërmjet federatave. Gjithçka është e preferueshme përkundrejt luftës, megjithëse e di fatkeqësisht pasi kam marrë pjesë në shumë luftëra, se është e lehtë për ta thënë dhe e vështirë për ta shmangur. Nuk i njoh këto rryma, shumë mirë nëse janë rryma mendimi kosovare. Ju po më thoni se flitet për bashkim kombëtar? Bah, epo kjo nuk më shqetëson fare. (rtk)