Kuvendi i Kosovës nuk miratoi rezolutën për Haradinajn

Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua debati ku kërkohej lirimi i Ramush Haradinajt e ndërprerja e dialogut me Serbinë. Serbia tashmë ka kërkuar zyrtarisht nga Franca ekstradimin e Ramush Haradinajt.

ramushPër më shumë se dhjetë orë u zhvilluan debat në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, megjithatë deputetët nuk arritën të miratojnë një rezolutë, me të cilën të kërkohet lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili po mbahet nga autoritetet frenceze.

Haradinaj, u ndalua nga policia francaze me datën (04.01) në bazë të një fletarresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritet serbe, ku Haradinaj akuzohet për krime lufte në Kosovë. Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mbështetur edhe nga lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën propozuan një rezolutë, ku kërkohej nga autoritetet franceze lirimi pa kusht i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në rezolutë po ashtu kërkohej që BE-ja të përfshihet në mënyrë që të përshpejtohet lirimi i Haradinajt, ndërsa, Qeveria e Kosovës të obligohet që të informojë instancat ndërkombëtare se e refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e Jugosllavisë.

Kërkesa për ndërprerjen e dialogut

Po ashtu nga qeveria e Kosovës u kërkua që të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi, derisa Serbia të anulojë të gjitha fletëarrestet e lëshuara kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Por dy partitë në pushtet LDK dhe PDK, nuk u pajtuan me një pikë të rezolutës, atë për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë dhe në këtë mënyrë rezoluta nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave të deputetëve.

Debati në parlamentin e Kosovës, për rastin e arrestimit të Haradinajt, ndodhi në ditën kur autoritetet e Serbisë dërguan tek autoritetet franceze kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Serbi. Autoritetet e drejtësisë franceze do ta shqyrtojnë kërkesën për ekstradim të Haradinaj. Në anën tjetër avokatët e Ramush Haradinajt kanë kërkuar lirimin e tij. Ata shprehen të bindur se kjo do të ndodhë ditën e enjte, kur Haradinaj pritet të dalë para gjykatës në qytetin Colmar.

Daçiç: Diaspora shqiptare përgatitet për sulm ndaj përfaqësive serbe

Arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Haradinaj bazuar në një fletarrest ndërkombëtar nga Serbia, ka nxitur reagime dhe tubime protestuese gjithandej Kosovës dhe jashtë saj në vendet e BE-së ku jeton diaspora kosovare. Ministri i Punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha për mediet serbe se “Serbia ka marrë informacione se diaspora shqiptare po përgatitet për marrjen me dhunë të përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të detyrimit të Serbisë që të heq dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt”.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë serbe Ivica Daqic, u dënua nga Ministria e Jashtme e Kosovës , duke e cilësuuar atë nxitëse, tendencioze dhe që ka për qëllim ta mbajnë në tension rajonin e Ballkanit. “MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve. Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiçit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Autoritetet e BE-së, vazhdimisht bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si e vetmja rrugë për përmirësimin e raporteve. Mirëpo, sipas analistëve ndalimi i Haradinajt nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, ka tendosur në masë të madhe raportet edhe ashtu të brishta Kosovë-Serbi.

Ramush Haradinaj dhe e shkuara

Sidoqoftë, nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohet në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohen nga Interpoli. Në qershor të vitit 2015 Haradinaj, u arrestua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, kur po kthehej nga një vizitë zyrtare nga Gjermania. Kosova nuk është pjesë e Interpolit, mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar nga Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ramush Haradinaj, ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2005. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pasi u bë rigjykimi i tij po në Tribunalin e Hagës dhe në vitin 2012, ku Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte. Ramush Haradinaj ishte njëri nga komandantët e ish-UÇK-së për rajonin e Dukagjinit. Pas luftës ai ishte themelues i subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo të cilën e udhëheq edhe sot. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>