Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) të nënshkruar me Bashkimin Evropian. Ratifikimi i marrëveshjes është bërë pa votat e opozitës, në formën e miratimit të Projektligjit.
Për miratimin e MSA-së kanë votuar 86 deputetë, ndërkohë që nuk kishte vota kundër dhe as abstenime, pasi që forcat politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në atë moment e kishin lëshuar sallën.
Në arsyetimin e Projektligjit, ministri i Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku ka thënë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit paraqet hapin e parë, por edhe më të rëndësishmin deri më tani në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndër të tjera, ministri Çollaku tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka ndodhur pavarësisht faktit që pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Kjo sipas tij, nënkupton që vendi i Kosovës në BE nuk po kontestohet më nga askush.
Po ashtu, Çollaku ka nënvizuar edhe faktin që zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mbetet i ndërlidhur edhe me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje është e ngjashme me ato që kanë nënshkruar vendet e rajonit. Është e pamohueshme që ne jemi rast më specifik, por nuk duhet harruar që janë pesë shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, por ato kanë pranuar që vendit tonë mos t’i mohohet e drejta për në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Çollaku.
Në deklarimet parlamentare, përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kryesisht e vlerësuan këtë marrëveshje me BE-në si të arriturën më të madhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Përderisa partitë opozitare kanë ngritur dyshime dhe shtruan vërejtje në këtë marrëveshje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Kosova në këtë marrëveshje shënohet me fusnotë, kështu që nuk paraqet një marrëveshje identike me vendet tjera.
Po ashtu, ka nënvizuar ai, marrëveshja e parasheh qartë se zbatimi i MSA-së ndërlidhet drejtpërdrejtë me zbatimin e marrëveshjeve që Kosova ka arritur në dialogun me Serbinë.
“MSA-ja nuk u kushtëzua me luftimin e korrupsionit, apo depolitizimin e administratës shtetërore; MSA-ja erdhi veç për një arsye, për shkak të marrëveshjeve me Serbinë. Ato marrëveshje nuk zbatohen me reciprocitet, ato ia krijojnë Beogradit një instrument të fuqishëm brenda Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Me qëndrime afërsisht të ngjashme rreth kësaj marrëveshjeje janë prezantuar edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Pas arsyetimit pse nuk e mbështesin MSA-në, deputetët opozitarë lëshuan sallën. Por, nga ky qëndrim unik i opozitës, është distancuar deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda duke e mbështetur MSA-në.
Kurse kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq ka thënë se kjo Listë i jep mbështetje të plotë MSA-së dhe e sheh atë si hap shumë të rëndësishëm të përafrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është nënshkruar javën e kaluar në Strasburg, duke shënuar edhe hapin e parë në vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. (rel)