Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar, por edhe ka qenë i paqartë me vendimin e vet rreth peticionit të nënshkruar nga 35 mijë qytetarë kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
Kërkesat kryesore të nënshkruesve të peticionit ishin anulimi i vendimit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe shkarkimi i anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Por, këto kërkesa në formë rekomandimesh ishin harmonizuar më pas nga Komisioni Funksional, të cilat i prezantoi deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi.
Ndër tjera, Kajtazi tha se Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione në harmoni edhe me atë për Buxhetkërkon sqarime dhe jo shkarkimi i Bordit të nga Zyrës së Rregullatorit të Energjisë rreth çmimit, pastaj që të pezullohen ngritjet e reja te çmimit deri në rishikimin e buxhetit dhe që të ulet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 16 në 8 për qind.
“Zyra e Rregullatorit për Energji në afat prej një muaji nga miratimi i këtyre rekomandimeve t’ia paraqes për njoftim Kuvendit të Kosovës një raport të veçantë për të gjitha çështjet e ngritura në peticion lidhur me dy ngritjet e fundit të çmimit të energjisë elektrike duke përfshi edhe analizën e detajuar të çmimeve”, ka thënë Kajtazi.
Rekomandimet e komisionit funksional janë mbështetur nga koalicioni qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe janë kundërshtuar nga tri partitë opozitare dhe Grupi 6 Plus, i cili përfaqëson komunitetet jo serbe.
Opozita ka kërkuar që rekomandimet të përfshijnë vetëm kërkesat e nënshkruesve të peticionit.
Deputeti i dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se Kuvendi duhet t’i miratojë vetëm kërkesat e qytetarëve dhe jo rekomandimet e Komisionit.
“U dëgjuan disa rekomandime të cilat janë rekomandime të komisionit, por që nuk kanë të bëjnë asgjë me kërkesat dhe peticionin e qytetarëve. Mendoj që këto rekomandime as që do të duhej të diskutoheshin. Rekomandimet që do të duhej të diskutoheshin sot janë kërkesat dhe rekomandimet e qytetarëve përmes peticionit, të nënshkruara nga 35 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Ymeri.
Me qëndrime identike janë prezantuar më pas edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.
Deputetëve u është drejtuar me një fjalim edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili ndër masat e para që do të ndikonte në uljen e pagesave për çmimin e energjisë, përmendi uljen e TVSH-së nga 16 në 8 për qind, që sipas tij, do të rregullohet së shpejti me anë të ligjit.
“Mendoj që ne duhet ta konsiderojmë me respekt peticionin e qytetarëve, sepse është fjala për një numër të madh të qytetarëve dhe një problem që brengosë të gjithë qytetarët dhe bizneset në Kosovë. Konsideroj se ne duhet të angazhohemi, si qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, komisioni parlamentar Zyra e Rregullatorit të Energjisë së bashku dhe të rishqyrtojmë problemin e çmimit”, ka thënë Mustafa.
Pas një debati të gjatë, në fund votimi solli si rezultat 42 vota për rekomandimet e komisionit dhe 4 abstenime.
Kurse një pjesë e deputetëve, kryesisht nga opozita, nuk votuan fare. Kërkesa e tyre ishte që të votoheshin vetëm kërkesat e qytetarëve dhe jo rekomandimet e komisionit.
Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti tha se një rezultat i tillë votimi i ka lënë të hapura dy mundësi interpretimi. E para që rekomandimet e komisionit të konsiderohen të miratuara dhe interpretimi i dytë që ato të rikthehen në votim.
“Sipas rregullores së Kuvendit këto rekomandime kanë kaluar, kurse sipas asaj normës që ne po e praktikojmë të pa-normuar as me rregullore e as me kushtetutë, mund ta përsërisim votimin pafundësisht”, ka thënë Haliti.
Megjithatë, Haliti tha se i konsideron këto rekomandime të votuara. Me këto paqartësi, Kuvendi nuk i dha një përgjigje të qartë peticionit tënënshkruar nga 35 mijë qytetarë dhe vazhdoi trajtimin e pikave tjera. (rel)