Lajçak: Dua të përmbyll bisedimet e filluara më 2011

LajcakI dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha të martën në Prishtinë se synon përmbylljen e suksesshme të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që filloi në vitin 2011.

Zoti Lajçak, arriti të martën për një vizitë disaditëshe në Prishtinë pas një rrugëtimi që zgjati më shumë se 24 orë për shkak të situatës së krijuar me COVID-19. Të hënën ai u nis nga Brukseli që të arrinte në Prishtinë nëpërmjet Tiranës, por mbeti i bllokuar në Zvicër prej nga të martën u dërgua në Prishtinë më një avion të ushtrisë zvicerane.

Kjo është vizita e parë e tij që kur mori detyrën e re.

“Mandati im është shumë i qartë, për të ndihmuar arritjen një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë që do të normalizoj marrëdhëniet, që do të zgjidhë të gjitha problemet e pazgjidhura përgjithmonë, që do të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se unë pres që të sjellë këtë proces që ka filluar më 2011 në përfundim të suksesshëm”, tha zi pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet sa ma shpejt që është e mundur, jo në një proces të pafund, me njohjen reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti Thaçi i cili më herët kishte theksuar se do të takohet me zotin Lajçak vetëm nëse ai ka ndonjë propozim konkret.

“Takimi im me presidentin Thaçi ishte shumë i frytshëm, konstruktiv e konkret dhe e informova për planet, për afatet kohore, për idetë, elementet dhe metodologjinë dhe do të vazhdojmë komunikimin”, tha zoti Lajçak.

Vizita e tij filloi një ditë pasi që Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, konfirmoi një takim të të dyja palëve në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Ajo që e di është se Bashkimi Evropian ka punuar gjithmonë shumë afër me Shtetet e Bashkuara dhe gjithçka që është arritur në bisedime ishte rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet BE-së SHBA-ve. Kjo ambicia jonë që të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë dhe shpresojmë për bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Lajçak.

Ai takoi gjatë së martës edhe kryetaren e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti. Pas këtyre takimeve tha se “rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë të qartë në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është themel i ketyre bisedimeve. Dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Por bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në tetor të vitit 2019 Richard Grenell u emërua përfaqësues i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, pak kohë pasi që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo kishte emëruar zotin Matthew Palmer si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Emërimi i tyre, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje ndër shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

Në fillim të këtij viti zoti Grenell, siguroi marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, në një periudhë kur kishte filluar viti i dytë i pezullimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për shkak të tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian u vu në përpjekje që të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe së këndejmi në muajin prill emëroi diplomatin sllovak Miroslav Lajçak të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor sipas modelit amerikan.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>