Pas vizitës në Prishtinë javën e kaluar, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, po qëndron në Beograd, për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Çështja e energjisë dhe targave, thuhet se do të jetë tema e diskutimit.
Lajçak javën e kaluar ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas takimit tha se çështja e veturave dhe marrëveshja për energjinë ishin temat kyçe të takimit. Të njëjtin e konfirmoi edhe kryeministri Kurti, i cili u fokusua kryesisht në çështjen e energjisë.
Emisari Lajçak ka thënë për energjinë konsultimet janë duke u zhvilluar dhe se Brukseli nuk dëshiron t’i heqë licencën kompanisë Elektrosever, e themeluar sipas ligjit të Kosovës.
Edhe mediet serbe përmendin këtë fakt, se Elektroserverit mund t’i revokohet licenca për shkak se kjo kompani nuk i ka përmbushur detyrimet e parashikuara që dalin nga marrëveshja energjetike e viteve 2013 dhe 2015, të arritura në dialogun nën kujdesin e BE-së, por janë zbatuar vetëm pjesërisht.
Ndryshe ky takim me presidentin serb vjen pas letrës se liderëve të Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, të cilët kërkojnë nga Kosova e Serbia një marrëveshje të shpejt për normalizim. Pala e Kosovës, tashmë e ka bërë të qartë se epilogu i dialogut duhet të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohje reciproke.
rtk