Lajçak telefonon me udhëheqësit kosovarë për rifillimin e dialogut

LajcakI ngarkuari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po bën përpjekje për rifillimin e dialogut, në Prishtinë partitë politike janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse duhet formuar qeveria e re.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po vazhdon bisedat telefonike me udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës, në përpjekje për ta përgatitur terenin për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Lajçak, siç shkroi në Twitter, të premten pati një bisedë telefonike me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ku thuhet se u pajtuan që “dialogu është prioritet”.

“Faleminderit Isa Mustafa për bisedën konstruktive për situatën aktuale politike, përgjigjen ndaj COVID-19 dhe për pritjet për të ardhmen për Kosovën. Jemi pajtuar se vazhdimi i dialogut është prioritet. Duhet të shpjerë në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë e të përshpejtojë progresin në rrugën e tyre evropiane”, shkroi Lajçak në Twitter.

Edhe LDK, në një njoftim për medie thotë se Mustafa e ka siguruar Lajçakun se “LDK-ja është e fokusuar që dialogu të fillojë shpejt dhe të rezultojë me njohje reciproke, dhe të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi. LDK do të vazhdojë të punojë fuqishëm për integrimin evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në BE”, thuhet në njoftim të LDK-së.

I ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ditë më parë ka biseduar me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pikërisht lidhur me përgatitjet për rifillimin e dialogut.

“Patëm biseda konstruktive dhe të dobishme për përgatitjet për rifillimin e dialogut dhe situatën në Kosovë. Mezi presim të punojmë së bashku për të mirën e të gjithë njerëzve në Ballkanin Perëndimor”, pati shkruar Lajçak në Twitter.

Lajçak kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Tri ditë më parë i ngarkuari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, në një bashkëbisedim me agjencinë e lajmeve APA, tha se ai është kundër idesë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse sipas tij, ato bien ndesh më synimet për një zgjidhje që siguron qëndrueshmërinë e rajonit.

“Bisedimet që udhëhiqen nga Bashkimi Evropian kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në rajon. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën”, shkroi zoti Lajçak.

Derisa Lajçaku po synon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe po bisedon me telefon me të gjithë udhëheqësit e institucioneve dhe të partive politike, në Prishtinë skena politike është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse i dekretuari i ri i Presidentit Thaçi, Avdullah Hoti, mund ta bëjë qeverinë e re të Kosovës, apo, gjykata do ta hedhë poshtë dekretin e Presidentit dhe vendi do të shkojë në zgjedhje.

Zgjedhje të reja pas pandemisë kërkon Vetëvendosja e Albin Kurtit. Ky i fundit është i bindur se Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë atij, që qeveria e Kosovës nuk mund të formohet pa partinë fituese të zgjedhjeve. Kurti gjatë ditëve të fundit e ka përsëritur disa herë se qeveria në detyrë do ta vazhdojë punën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjtën në një konferencë për medie se është qenësore për demokracinë në Kosovë, që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur nga presionet.

“Eshtë e rëndësishme që kjo Gjykatë të punojë pa presione, as nga shoqëria civile, as nga partitë dhe e as nga bashkësia ndërkombëtare. Askush nuk ka të drejtë të pretendojë të mbajë të uzurpuar asnjë zyrë të institucioneve të vendit në veçanti pas vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësueseve të popullit dhe deputeteve që janë të përfaqësuar në Kuvendit e Kosovës”, tha presidenti Thaçi. Sipas presidentit, askush akoma nuk e di se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, prandaj ai kërkon nga të gjithë që ai vendim të respektohet.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me mandatarin e saj për kryeministër të ri Avdullah Hoti, gjatë bisedës telefonike që pati me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, e siguroi atë dhe të gjithë që kjo parti do ta pranojë dhe respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër. Edhe subjektet tjera politike janë shprehur se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit në fillim të majit, pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së re Kosovës, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga partia Vetëvendosje.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rreëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i inicuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese, në këtë rast Vetëvendosjen, po e cilëson antikushtetues.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>