Lajçaku viziton Kosovën e Serbinë

LajcakI ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak viziton Prishtinën dhe Beogradin në përpjekje për të rinisur dialogun.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nis me datë (01.03) vizitën e tij tre ditëshe në Kosovë, për të vazhduar më pas vizitën në Serbi, nga 3 deri më 4 mars. Lajçak, po ashtu viziton edhe Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal.

Në Prishtinë Lajçaku pritet të takohet me zyrtarët e lartë shtetërorë e politikë, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Takimi më i rëndësishëm thuhet të jetë ai me fituesin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet ta formojë qeverinë e Kosovës. Kurti ka thënë se ai nuk e ka ndër prioritet e para dialogun me Serbinë, por zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjin. Por, për Bashkimin Evropian dhe zotin Lajçak, dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, sepse këtë e kërkon Bashkësia Ndërkombëtare.

“Ai u zgjodh për të zgjidhur disa çështje të brendshme të Kosovës, të tilla si korrupsioni, drejtësia dhe çështjet sociale, dhe ai e di shumë mirë se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe Shtetet e Bashkuara presin që dialogu të vazhdojë, dhe ai është i gatshëm për këtë”, citojnë mediet në Serbi një intervistë të Lajçakut për mediet serbe. Sipas tij, ai nuk vjen në Beograd, me një “ultimatum” dhe se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga bashkëpunimi i ripërtërirë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së. Lajçaku u shpreh i bindur se “ka hapësirë ku Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord për marrëdhëniet e ndërsjella”.

BE nuk punon me ultimatume

“BE nuk punon me parimin e ultimatumeve. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Qëllimi i dialogut është të mbështesë të dy Beogradin dhe Prishtinën dhe të sjellë të ardhmen evropiane më afër të gjithë rajonit”, thotë Lajçak, citon media serbe Tanjug. Sipas tij, “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një parakusht për integrimin e suksesshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe BE janë këtu për të ndihmuar”.

Menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, Bashkimi Evropian, bëri thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ka për synim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më 4 shtator të vitit të shkuar, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik, ndërsa që nga ajo kohë, nuk ka pasur më takime politike të nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>