Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë bota demokratike, i jep lamtumirën e fundit, Madeleine Korbel Albright, personalitetit të shquar, me emrin e së cilës, është e lidhur ngushtë, edhe liria e Kosovës. RTK bën transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë mortore.
Ceremonia mortore do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Washington.
Bazuar në agjendë, Presidenti Joe Biden do të mbajë një fjalim për ish-Sekretaren e 64 të Shtetit, Madeleine Albright.
CNN raporton se në funeralin e së mërkurës në Katedralen Kombëtare, do të flasin edhe ish-presidenti Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Kur Albright vdiq muajin e kaluar në moshën 84-vjeçare, Biden e kujtoi kryediplomaten e dikurshme si “një forcë për mirësinë, hirin, mirësjelljen- dhe lirinë”.
“Kur mendoj për Madeleine, gjithmonë do të kujtoj besimin e saj të zjarrtë se ‘Amerika është kombi i domosdoshëm”, shkroi Biden në një deklaratë.
Në funeralin e saj, tre vajzat e Albright do të mbajnë fjalime kurse muzikantët Chris Botti, Judy Collins dhe Herbie Hancock do të bëjnë homazhe.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e ish-presidentit Clinton.
Së pari ajo shërbeu si ambasadore në Kombet e Bashkuara përpara se Clinton ta zgjidhte në mandatin e tij të dytë, si sekretaren e parë femër të shtetit.
Në detyrë, ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti aleancën të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe promovoi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Mes shumë personaliteteve të botës, atje ndodhen edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët me ftesë të familjes do të marrin pjesë në këtë funeral.
rtk