LDK me mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti

Albin KurtiAlbin Kurti shkarkoi ministrin e LDK-së, se nuk ishte në një vijë me kryeministrin rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për koronavirusin. Si kundërpërgjigje LDK, inicon mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë së tij, konfirmoi se LDK do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj  qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Këtë deklaratë Isa Mustafa, e bëri vetëm disa orë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e shkarkoi nga posti ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu që vjen nga LDK, pasi Veliu nuk ka qenë në një linjë me kryeministrin rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për koronavirusin. Agim Veliu është edhe nënkryetar i LDK-së.

Reagimi i LDK

“Sot ka ndodhur një veprim i papritur dhe i paparalajmëruar i kryeministrit Kurti, do të thotë është shkarkuar një ministër i LDK-së në kundërshtim me marrëveshjen për koalicionin. Shkarkimi është një veprim arbitrar, krejtësisht i  panevojshëm në këtë situatë që ne po ballafaqohemi me luftën kundër një virusi të tmerrshëm që ka kapluar vendin tonë dhe po ashtu nuk kemi njohuri se çfarë do të ndodh nesër”, tha Isa Mustafa, duke njoftuar për nisjen e mocionit të mosbesimit të qeverisë Kurti, sepse, sipas tij, “Albin Kurti, nuk dëshiron të bashkëpunojë me neve dhe nuk dëshiron të bëj veprime që sigurojnë relacione të shëndosha me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë evropianë”.

“Kemi vendos që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu, prezencën e saj ekonomike dhe po ashtu përkrahjen politike që kemi pasur dhe duhet ta kemi të ardhmen për njohje të reja, jo për çnjohje dhe për rrugën euroatlantike të vendeve tona”, tha Isa Mustafa duke shtuar se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e marrëdhënieve të mira me SHBA. “Mospajtimi themelor me lëvizjen Vetëvendosje qëndron në përkeqësimin dhe rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA, diçka me të cilën ne nuk pajtohemi, sepse nuk shohim perspektivë e ardhmëri të këtij shteti pa prezencën dhe përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së”, tha Isa Mustafa.

Kurti refuzon qëndrimin që e cilëson atë si antiamerikan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes tha, se ai nuk është i befasuar nga qëndrimi i LDK-së lidhur me nismën për mocion-mosbesimi për qeverinë e tij, por tha se ai do të presë, se çfarë do të bëjë dhe çfarë do të shkruaj LDK në nismën për mosbesim. Kurti tha se “deklarata e LDK-së, që e personifikon atë për antiamerikanizëm”, është e paqëndrueshme dhe sipas tij nuk e beson askush. “Këtë e kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja Vetëvendosje, e edhe kur tash jam kryeministër. Janë të njëjtat thirrje të dëshpëruara. Kosova është mbase vendi më proamerikan në botë. Kosova është shteti në të cilin Amerika ka ndër ndikimet më të mëdha në botë. Si bëhet që një politikan që paska qenë antiamerikan i fitoi zgjedhjet? Këto më s’i beson askush”, theksoi kryeministri i Kosovës, duke e arsyetuar vendimin e tij për shkarkimin e ministrit të LDK-së Agim Veliu, i cili sipas tij ishte në një linjë me Presidentin Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit, ide të cilën e kundërshton fuqishëm Albin Kurti.

Zyrtarë të LDK-së thonë se qysh nesër do të ndërmarrin hapat ligjorë dhe proceduralë për ta hedhur në mocion mosbesimi qeverinë Kurti pjesë e së cilës është edhe LDK. 45 ditë më parë koalicioni Vetëvendosje dhe LDK me kryeministër Albin Kurti u votua nga 64 deputet nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Ndërsa, 45 ditë pas, ajo inicohet për mosbesim nga vetë LDK. Kushtetuta e Kosovës neni 100  e parasheh si më poshtë mocionin e Votëbesimit:

1. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

2. Votëbesimin e Qeverisë mund ta kërkojë Kryeministri.

3. Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

4. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

5. Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.

6. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>