Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës fitoi Vetëvendosja pas 20 vjet udhëheqje të kësaj komune nga LDK. Srpska vazhdon qeverisjen ne Veri.
Lëvizja Vetëvendosja fitoi në Podujevë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune. Që nga përfundimi i luftës kjo komunë është udhëhequr nga LDK. Ndërsa, në Mitrovicën e Veriut zgjedhjet i fitoi Lista Srpska. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna u mbajtën këtë të diel pasi që vendi i kryetarit ishte i zbrazët që nga shkurti I këtij viti, kur Agim Veliu kryetar i Podujevës u bë ministër i Brendshëm dhe Goran Rakiq, u bë zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që publikoi rezultatet preliminare në orët e vona të së dielës, Milan Radojeviç nga Lista Serbe ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicën e Veriut dhe është zgjedhur kryetar komune. Ndërsa, në Podujevë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, fitoi 51.64 për qind të votave, duke i dhënë fund një periudhe 20 vjeçare që kjo komunë u drejtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ-së, në Podujevë ishte rreth 41 % e Veri të Mitrovicës, rreth 39 për qind e 23 mijë votuesve të regjistruar.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, vlerësoi së në zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut u bë “Realizimi i të drejtës në votë, bazament i demokracisë”.
“Republika e Kosovës dëshmoi se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike, nëpërmjet të cilave qytetarët duke votuar, treguan se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë bazament i demokracisë dhe respektimit të lirive politike”, shkroi Vjosa Osmani.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës dhe Veri të Mitrovicës, u mbajtën në kohën kur në Prishtinë ka një paqartësi politike, pas dorëheqjes së presidentit Thaçi. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ka të drejtë të mbajë këtë pozitë vetëm gjashtë muaj. Pas këtij afati vendi duhet të bëhet më president të ri, ose të mbahen zgjedhje të reja parlamentare. Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, që vëzhgon zgjedhjet, vlerëson se zgjedhjet në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut mund të jenë edhe përcaktuese të shkuarjes ose jo të vendit në zgjedhje të përgjithshme parlamentare.
“Zgjedhjet në nivelin lokal, sidomos në komunën e Podujevës e cila njihet si bastion i LDK-së do të jenë një test i mirë si për LDK-në ashtu edhe për dy kundërkandidatët nga partitë opozitare aktualisht në nivelin qendror, që do të mund të jetë një matës i mirë për të parë se ku ndodhen me elektoratin e tyre subjektet politike të cilat kanë pësuar ndryshime në kuptim të konfigurimit të qeverisë”, thotë Eugen Cakolli, sipas të cilit zgjedhjet që u mbajtën në Pudujeve dhe Veri të Mitrovicës, reflektojnë në masë të madhe edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në nivelin qendror.
Sidoqoftë, këtë javë sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe partive politike do të mbahen takime ndërmjet vete për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit. Nëse kjo nuk arrihet atëherë në bazë të kushtetutës vendi është i obliguar të shkojë në zgjedhje.
dw