Raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave Tanja Fajon u shpreh në Bruksel, se: “pasi Kosova i ka përmbushur kushtet… qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave”.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave Tanja Fajon, të martën (4.12) u ndje e zhgënjyer lidhur me mungesën e vullnetit për liberalizmin e vizave për kosovarët dhe kërkoi nga institucionet kosovare që kërkesat e tyre t’ua drejtojnë më shumë direkt vendeve anëtare e jo direkt institucioneve të BE-së.
Ajo komentet i bëri në një panel të Konferencës BE-ja dhe Balkani Perëndimor të organizuar nga Think Tenku, Friends of Europe.
“Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet… qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre”, tha Fajon.
“Ne si institucione të BE-së kemi bërë shumë presion te kosovarët që ata të përmbushin kërkesat, ato janë përmbushur dhe komisioni e ka pranuar këtë. Sa i përket institucioneve të BE-së Kosova e ka dritën e gjelbër tash kjo është në dorën e qeverive të BE-së”, shtoi Fajon.
Ajo specifikoi Gjermaninë dhe Francën si dy vende kyçe, ku procesi i lberalizimit është bllokuar. Ajo tha se në emër të parlamentit së bashku me parlamentarin Kukan do të shkruajnë një letër, përmes së cilës do të kërkohet nga vendet anëtare që të kalojnë liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Tani në pyetje është kredibiliteti i institucioneve evropiane. Vendet anëtare duhet ta kuptojnë këtë”, theksoi ajo.
Ajo specifikoi se presidenca austriake nuk do ta ketë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave, përderisa këtë nuk pritet ta bëjë as presidenca rumune 2019-20. “Do të thotë jemi duke humbur shumë kohë”.
“Unë do ta ngre këtë çështje në Komisionin Evropian dhe tek qeveritë e vendeve anëtare. “Ata nuk kanë mundur ta realizojnë premtimin dhe do të bëjmë presion të vazhdueshëm”, theksoi Fajon. (dw)