Ligjvënësit amerikanë të shqetësuar me zhvillimet në Serbi dhe ndikimin e saj në rajon

thumbs_b_c_72c882712c940af2210f5384397e55edShtatë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve i bënë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, që të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që, siç thuhet, destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, ndërsa shprehin shqetësimin për ndikimin e situatës politike në Serbi në rajon dhe në Evropë.

Ligjvënësit, Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa, në letrën drejtuar presidentit Biden, i kujtojnë atij qëndrimet e shprehura gjatë një vizitë ne Beograd në vitin 2016, ku kishte thënë se “është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që populli i Serbisë të jetë në gjendje të zhvillohet dhe të përparojë”.

Prandaj, thuhet në letër, “ne inkurajojmë administratën tuaj që të angazhohet me presidentin Aleksandër Vuçiç për të luftuar korrupsionin dhe sulmet ndaj lirisë së medias, që janë thelbësore për një Serbi përparimtare e demokratike, dhe për aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Ligjvënësit i kërkojnë në letër presidentit që të shqyrtojë përdorimin e “Urdhrit Ekzekutiv 14033” për “bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, aty ku është e përshtatshme, për të mbështetur një qeveri serbe më transparente dhe të përgjegjshme, që respekton demokracitë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Në letër kritikohet gjendja e medieve ne Serbi dhe citohet organizata Gazetarët pa Kufij sipas së cilës, “Serbia është një vend ku gazetarët u nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare”.

Më tej në letër thuhet se raportet kanë treguar se presidenti Vuçiç e ka thelluar korrupsionin brenda Serbisë, duke përfshirë përdorimin e krizës COVID-19 si një justifikim për të fshehur shpenzimet e qeverisë, ndërsa shprehet besimi se administrata amerikane duhet të ndërmarrë veprime të shpejta për të zmbrapsur korrupsionin ekzistues dhe sulmet e mëtejshme ndaj lirisë së shtypit në Serbi.

“Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për një të ardhme shpresëdhënëse për Serbinë dhe popullin serb. Për fat të keq, për të arritur në atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë, janë vendimtare për t’u siguruar që Serbia mund të jetë e frytshme në zbatimin e reformave demokratike dhe e duke e bërë këtë, do të jetë në gjendje të përmirësojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

Vuçiç: Letër njëpartiake…

“Shkruani rezoluta, deklarata, shkruani çfarë të doni. Në fund ne dalim para qytetarëve të Serbisë dhe ata marrin vendimet përfundimtare”, tha të dielën presidenti serb, i pyetur për letrën e ligjvënësve amerikanë.

Ai tha se letra është nënshkruar nga “disa ligjvënës demokrat” dhe është “njëpartiake”, por, “do ta shihni se sa ligjvënës do të nënshkruajnë rezolutën serbe brenda një muaji”.

Presidenti serb tha se Serbia përkundër asaj çfarë thuhet ne letër, “ka ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë” në rajon dhe i ka “kontribuuar asaj”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>