Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka cilësuar si më skandalozin, vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e të akuzuarit për krime lufte, Vojsllav Sheshel.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ymeri thekson se mosndëshkimi i shtetit të Serbisë për krimet e luftës në Ballkan po rrënon dinjitetin viktimave të shumta dhe familjeve të tyre.
Ai thekson se mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës, çka nxit luftëra të reja në Ballkan
Postimi në “Facebook”
“Kriminelin Sheshel e paska shpallur të pafajshëm Tribunali i Hagës. Ky, sipas të gjitha gjasave, është vendimi më skandaloz i këtij Tribunali.
Të shpallet ultra-fashisti Sheshel i pafajshëm për krimet e kryera nga forcat militare e paramilitare të Serbisë në Kosovë, Bosnje e Kroaci, është krim në vete, dhe nuk ka asgjë të bëjë me drejtësinë.
Kështu fashistëve në Serbi, të cilët janë në pushtet, po u dërgohet një sinjal tjetër: jo i domosdoshmërisë për denazifikim e dekriminalizim, por i hapësirës për intensifikim të kërkesave e veprimeve të tyre shoviniste e hegjemone.
Ky mosndëshkim i shtetit të Serbisë po i rrënon dinjitetin për çdo ditë viktimave të shumta dhe familjeve të tyre. Nga Zagrebi, në Sarajevë e Prishtinë sot njerëzit ndihen të dhunuar rishtazi.
Tash nga buzëqeshja kriminale e Sheshelit, dhe nga vendimi i neveritshëm i Tribunalit ndërkombëtar. Është e padrejtë të quhet drejtësi ndërkombëtare.
Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës. Ky pranim është nxitje e Serbisë për luftëra të reja në Ballkan.
/Shekulli Online/