Lista Serpska: kushte për miratimin e ushtrisë së Kosovës

Për të votuar krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, lista Serpska kërkon vazhdimin e mandatit për vendet e rezervuara në parlament. Qeveria e Kosovës nën kryeministrin Isa Mustafa e kundërshton këtë.

parlamenti i ksÇështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është rikthyer si temë debati në skenën politike kosovare. Kjo për faktin që krijimi i kësaj trupe kërkon ndryshime kushtetuese, me miratimin edhe të deputetëve të pakicave. Deputetët e Listës Serpska, që kanë mbështetjen e qeverisë në Beograd, tani për tani janë kundër shndërrimit të FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës. Ata edhe më parë kanë kërkuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në parlament si kusht për të dhënë votën pro Forcave të Armatosura të Kosovës. Por kërkesa e tyre kundërshtohet fuqishëm nga shumica shqiptare në kuvend. Madje disa deputetë të Listës Serpska vazhdojnë të deklarojnë, se Kosova nuk rrezikohet nga askush dhe nuk ka nevojë për ushtri, sidomos për faktin që në Kosovë ende qëndrojnë mijëra trupa të NATO-s. Që FSK të bëhet ushtri e Kosovës, duhen dy të tretat e votave të deputetëve, në këtë mes edhe dy të tretat e deputetëve të pakicave, që domosdoshmërit nënkupton edhe miratimin me votat e serbëve në kuvendin e Kosovës. Komisioni i parlamentit të Kosovës për Punë të Brendshme është duke kërkuar nëse ekzistojnë rrugë të tjera që Kosova ta ketë ushtrinë e saj edhe pa qenë nevoja e shumciës së dy të tretave të pakicave. Njëri nga anëtarët e komisionit, Rexhep Selimi, ish-pjestar i UCK-së, tha të hënën me (14 09) se “Komisioni duhet të reflektojë që në komision të mos sillet shndërrimi i FSK-së në FAK vetëm si lojë e retorikës politike, por -sipas tij- duhet të forcohet ligji ekzistues dhe të ketë iniciativa të tjera për ta bërë ushtrinë e Kosovës”.

FAK-u vetëm me kushtetutë, nuk ka model tjetër

Analistët politik, ndërkaq, thonë se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk mund të bëhet duke ndryshuar ligjin. Ajo mund të vendoset vetëm me Kushtetutë, nuk ka model tjetër. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nga ana e tij, nuk pajtohet me faktin, që vazhdimi i mandateve të rezervuara për pakicat në parlament të jetë kusht që ata ta japin votën pro krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Mustafa: Jo vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakicat

“Eshtë e paarsyeshme që të ngushtohen vendet për deputet të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen ato edhe më tej për përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë. Konsideroj, po ashtu, se nuk ka çmim, që e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lartë legjislativ. Është e qartë se komunitetet jo shumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi”, u shpreh Isa Mustafa në profilin e tij social.

“Sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, për mua ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse këto vende nuk mund të afatizohen. Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje”, thotë kryeministri Mustafa.

Prandaj kryeministri thotë, se ai është duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së dhe pret bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive jo shumicë në Kuvend.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, e kritikojnë qeverinë për qasjen siç thonë, jo serioze që ka pasur në raport me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, prioritet i është dhënë vetëm marrëveshjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe duke e lënë pasdore FAK-un.

Sipas tij “themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) është i domosdoshëm për të plotësuar themelimin e institucioneve shtetërore të Kosovës.

“Nuk ka arsye të bëhet prolongimi, as të pengohet nga lista serbe. FAK-u do të jetë forcë e armatosur multietnike, e cila do të mbikëqyret nga trupat e KFOR-it. FAK do të punojë në bazë të mandatit të dhënë kushtetues dhe do të respektojë praninë ndërkombëtare dhe do të jetë mekanizëm shtesë për forcimin e sigurisë në Kosovë së bashku me KFOR-in. Deri me tash ka një pajtim në rrafshin ndërkombëtar, se FAK do të jetë një ushtri moderne e pajisur ushtarakisht në pajtim me standardet dhe politikat e NATO-s dhe me kushtet dhe rrethanat në regjion, ndaj ajo pritet të jetë një faktor i rëndësishëm në mbrojtjen e shtetit të Kosovës dhe paqes në rajon”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë nga ushtria e Kosovës, as Serbia sepse, Kosova po shkon drejt normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë. Analisti Burjani rikujton se më herët u la pas dore rasti, që “me votimin nga Kuvendi i Gjykatës speciale, në paketë të bëhej edhe votimi i përnjëhershëm edhe i Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Sidoqoftë, tani ende nuk dihet nëse sërish do të provohet që përmes votimit në kuvend të shndërrohet Forca e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, apo siç shprehen disa deputet shqiptar, të gjendet ndonjë rrugë tjetër me ndryshimin e ligjit, i cili ka kohë që është proceduar në qeveri. Mirëpo, sipas analistëve, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk mund të bëhet duke ndryshuar ligjin. Ajo mund të vendoset vetëm me Kushtetutë, model tjetër nuk ka. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>