Lista Srpska bojkoton zgjedhjet – Vendimi zhgënjen BE e SHBA

MitrovicaLista Srpska nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit në veri për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Pas këtij vendimi, BE kërkon që Lista Srpska të rishqyrtojë vendimin e saj.

 

Subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, Lista Srpska ka bërë ndërkohë të ditur, se nuk do të marrë pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, është paraparë të zhvillohet votimi, pas verifikimit të listave të nënshkrimeve që janë mbledhur në një peticion gjatë muajit janar nga mbi 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë. “Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e ardhshëm ku do të vendoset për largimin e katër kryetarëve jolegjitimë në veri të Kosovës, sepse Albin Kurti bëri gjithçka që ai referendum të mos ketë sukses”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek. Sipas tij, “listat e votuesve nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren dhe kohët e fundit është rritur numri i shqiptarëve në listat zgjedhore”.

Për largimin e një kryetari komune, KQZ,  tashmë ka bërë përgatitjet për votimet ku duhet të votojnë së paku 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote për ta larguar kryetarin. Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe. Megjithë thirrjen e Listës Srpska për mospjesëmarrje në votim, procesi  sipas KQZ-së do të zhvillohet me 21 prill, edhe pasi anëtarët e Listës Srpska në komisionet komunale dhanë dorëheqje.

 

Zhgënjim i ndërkombëtarëve

Autoritetet ndërkombëtare u shprehën të zhgënjyera me vendimin e Listës Srpska për të mos marrë pjesë në votimet e 21 prillit. Bashkimi Evropian shprehu keqardhje dhe i bëri thirrje Listës Srpska që ta rishqyrtojë vendimin. “Demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe i takon elektoratit serb të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehë opinionin nëpërmjet kutive të votimit. Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonte në de-përshkallëzimin e situatës”, thuhet në reagimin e BE-së. BE vlerëson se e domosdoshme që të gjithë të kthehen në një situatë, ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, në polici dhe dhe gjyqësorin në veri të Kosovës.

Edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë, tha se i vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqet nga pjesëmarrja në votimin. “Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar. Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe demokracinë e lirë, të drejtë dhe të lirë të Kosovës dhe zgjedhje legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në regaimin e ambasadës amerikane.

 

“Bojkot dhe dorëheqje”

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde e ka cilësuar si shqetësuese qasjen e Listës Srpska. “Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori Rohde për mediet lokale. Sipas tij, “politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet në dy fjalë, “bojkot dhe dorëheqje”, dhe kjo politikë në thelb është “dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe”.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, u bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar me 21 prill, për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>