E gjitha nisi nga dy fotografi, për të vazhduar me një polemikë, e më vonë duket sikur një përplasje nga distanca.
Krejt kjo mes dy politikaneve që mbajnë pozita të larta. Njëra është kryeministre e Serbisë e tjetra raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, e nisën përlasjen në llogaritë e tyre në Twitter.
Ishte Viola von Cramon e cila të martën pasdite, në profilin e saj në Twitter, postoi dy fotografi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mbi ato fotografi, ajo shkroi nga një legjendë për secilën. Në fotografinë e parë, Vuçiq shihej me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.
E mbi këtë fotografi, Von Cramon shkroi: “Si nisi!”, duke aluduar se presidenti Vuçiq, me kursin e tij politik, vite më parë ishte drejt perëndimit.
Por krahas kësaj fotografie, Von Cramon postoi një tjetër të presientit Vuçiq i cili shihet me Turko Daudovin, këshilltar i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.
Daudov të martën vizitoi Beogradin. Madje Vuçiq kishte veshur edhe një pallto tradicionale çeçene, dhuratë nga Daudov.
“Si po shkon!”, shkroi Von Cramon mbi foton e dytë, duke aluduar kështu që Vuçiqin, që tashmë me politikën e tij është kthyer nga Rusia.
Pas kësja, në Twitter, shkroi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila shpjegoi vonesën në reagim, duke treguar se ndodhet në vizitë zyrtare në Singapor, dhe sipas saj, ka një zonë tjetër kohore.
“Sapo pashë këtë përpjekje të mërzitur për të qenë qesharake”, shkroi Bërnabiq.
“Si një raportuese e BE-së, Violës nuk i intereson që Prishtina të injorojë Marrëveshjen e Brukselit (10 vjet), përkundrazi ajo vazhdon pa ndërprerë të merret me presidentin Vuçiq që ka bërë pikërisht atë që po bëjnë liderët e BE-së. Hipokrizi”, shkroi kryeministrja e Serbisë në këtë reagim.
Më pas, ajo shkroi edhe një fjali tjetër. “Dhe, një këshillë miqësore: ju lutem Viola von Cramon, merrni një konsulent për humor. Keni nevojë”.
Por, ndaj këtij reagimi, Viola von Cramon iu kundërpërgjigj me ironi Bërnabiqit, në llogarinë e saj në Twitter.
“Shohim që ju keni shumë konsulentë humori kur përgatitni raporte për zbatimin e standardeve të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut”, shkroi Von Cramon.
Thënë ndryshe, Von Cramon aludonte se të gjitha raportet pozitive të Qeverisë së Serbisë në lidhje me këto të drejta, janë të pavërteta.
Përndryshe, replikat e zyrtarëve serbë me ata evropianë, në rrjetet sociale, nuk janë të rralla.
Më i zëshmi në aktivitete të tilla është ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, por edhe zyrtarë të tjerë serbë.
rtk