Presidenti francez, Emmanuel Macron u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një kompromis që do të bëjë të mundur të “kthehen nga e ardhmja evropiane”.
Ai i bëri këto komente të mërkurën mbrëma në Paris në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që po viziton për herë të parë Parisin që kur mori detyrën në mars të këtij viti.
“Dua të them se për mua marrëveshja e Prespës që u jetësua falë vullnetit të përbashkët të dy udhëheqësve (Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë) është një shembull, një burim frymëzimi i dobishëm për të gjithë rajonin. Kjo është arsyeja pse unë inkurajoj Kosovën dhe Serbinë të veprojë si evropianë, duke u angazhuar plotësisht në kërkimin e një kompromisi që do të lejojë Beogradin dhe Prishtinën të drejtohen me vendosmëri drejt një të ardhmeje evropiane”, tha Presidenti Macron.
“Ky është interesi i Kosovës”, tha ai duke u zotuar se Kosova do të ketë mbështetjen e Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend.
Kryeministri Kurti tha se “Evropa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konceptuar drejtë.”
“Tashmë, realiteti ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj se po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos me vizitën e presidentit amerikan (Joe Biden) dhe bisedat me udhëheqësit e shteteve evropiane, të BE-së dhe më gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, një situatë e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluara dhe drejtëpeshuara dhe një besim më të lartë”, tha Kryeministri Kurti.
Ai tha se Franca është model për Kosovën në ndërtimin e strukturës kushtetuese, në vendosjen e sundimit të ligjit dhe lirisë së shprehjes.
Presidenti francez është pjesë e përpjekjeve për të nxitur një marrëveshjeve normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit e të dy vendeve u takuan javën e kaluar në Bruksel, por pa ndonjë përparim.
Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet muajin e ardhshëm, por gjykuar nga qëndrimet e tyre duket ende e largët mundësia e një marrëveshjeje që është kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.
voa