Mbaron takimi Kurti-Opozitë, deklarohet Abdixhiku i LDK-së

Ka përfunduar takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me liderët e partive opozitare, PDK, LDK e AAK.

 

Ndonëse takimin e ka braktisur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më vonë në rrjetet sociale tregoi arsyen (deklarimin e Haradinajt mund ta gjeni më poshtë në këtë lajm v.j), takimi mes kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar për rreth një orë e gjysmë.

Siç raporton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj e cila ndoqi nga afër këtë ngjarje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit ka bërë edhe një deklarim për media.

Abdixhiku tha para mediave se në këtë takim, nuk kanë kuptuar diçka më shumë sesa ato që janë thënë publikisht.

“Nuk pamë ndonjë plan konkret”, tha kryetari i LDK-së. “Nuk pamë ndonjë lëvizje për koordinim me aleatët”.

Kryetari i LDK-së u shpreh se Kosova nuk duhet të jetë pre e kurtheve nga faktorët në Beograd, por duhet të koordinohet me aleatët.

“Për një bashkëpunim të Qeverisë me aleatët, ajo do të mbështetet nga LDK”, tha kreu i kësja partie opozitare.

“Pra, LDK kërkon koordinim të plotë me aleatët dhe për këtë do ta ketë mbështetjen”, sqaroi Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Kurti dhe liderët e tjerë të partive opozitare.

“Ne kërkojmë që kjo Qeveri të ketë ligjshmëri dhe koordinim me aleatët e vet”, tha Abdixhiku, i cili hodhi në dyshim se ka një koordinim të tillë.

“Nuk ka koordinim të tillë, derisa nuk kemi një konfirmim nga aleatët”.

 

Mbaron takimi Kurti-Opozitë,  deklarohet Krasniqi i PDK-së

Ndonëse takimin e ka braktisur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më vonë në rrjetet sociale tregoi arsyen (deklarimin e Haradinajt mund ta gjeni më poshtë në këtë lajm v.j), takimi mes kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar për rreth një orë e gjysmë.

Siç raporton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj që po ndjek nga afër këtë ngjarje, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit ka bërë edhe një deklarim për media.

Krasniqi është shprehur se partia që ai drejton, i jep përkrahje Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrë  veprimet që i takojnë dhe që kjo e fundit duhet të ndërmarrë.

“Pra, për veprimet që të kanë të bëjnë me ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe integrimin”, tha Krasniqi para mediave.

Ai deklaroi se në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. “Ne kemi deklaruar se në vend që sot të fokusohemi te merrëveshja finale, tani po merremi me tema të tjera”, tha kryetari i PDK-së.

Ai tha se në takim kanë shkuar për ta dëgjuar kryeministrin për situatën. “Por nuk jam i sigurt se në çfarë rruge ka hyrë dhe a do të dalim suksesshëm”.

 

Haradinaj tregon arsyen përse braktisi takimin

Pasi braktisi takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti me liderët e partive opozitare të PDK-së e LDK-së, kryetari i partisë së tretë opozitare në vend, Ramush Haradinaj i AAK-së, me një status të shkurtër në Facebook, shpjegoi arsyen e largimit të tij.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin”, shkroi Haradinaj.

“…Sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”.

Haradinaj deklaroi se një veprim i tillë për të është i papranueshëm.

“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>