Mbi arrestimet një ditë para protestës

LVV_AlbinLëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me arrestimet e fundit të aktivistëve, arrestime këto që po bëhen me qëllim që të pengohet protesta e nesërme.

Mbrëmë dhe sot në mëngjes ka filluar një fushatë policore e arrestimit të aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s në kuadër të persekutimit politik që po na e bën ky regjim. Një ditë para protestës së 17 shkurtit, protestë kjo për shtet me sovranitet dhe kundër qeverisë antikushtetuese, pushteti në panik përmes aparatit represiv po mundohet me çdo kusht ta shtyp vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

Deri më tani janë arrestuar Fatmir Kurtaj, Frashër Krasniqi, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skender Merturi.

Ne kërkojmë lirimin nga burgu të aktivistëve tanë, pra kërkojmë lirimin e menjëhershëm të këtyre të burgosurve politikë të regjimit Mustafa-Thaçi.

Preteksti i regjimit është aksioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 25 gusht 2009, kur u rrotulluan 25 xhipa të EULEX-it. Atëbotë ne kundërshtonim Protokollin e bashkëpunimit që kishte nënshkruar EULEX-i me policinë kriminale të Serbisë, pra për ta lejuar ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ky protokoll mes tjerash parashihte këmbimin e informatave mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë për aktivitetin policor. Sa më shumë që kalon koha nga ai aksion, aq më i drejtë e më minimal na duket ai. Ne përmes atij aksioni protestuam kundër ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë, dhe kundër EULEX-it që po e shtynte përpara një gjë të tillë. Ne nesër do të protestojmë kundër instalimit të Serbisë në Kosovë, dhe kundër kësaj qeverie që po keqpërdor të gjithë mekanizmat shtetëror për t’i realizuar projektet e Serbisë në Kosovë.

Aktivistët tanë janë njerëz publikë. Arrestimi i tyre natën ose në orët e hershme të mëngjesit tregon që policia e këtij regjimi autoritar preferon veprimin tinëz. Këto janë taktika të shtetit policor dhe metoda fashiste. Një pjesë e aktivistëve që po kërkohen nga policia nëpër shtëpitë e tyre, as që kanë qenë pjesë e atij aksioni. Kjo e dëshmon edhe njëherë se qëllimi i këtij pushteti është zbehja e pengimi i protestës së nesërme. Mirëpo, meqë duan të na e ndalin ose zvogëlojnë protestën e nesërme, lirisht mund të themi se këto arrestime janë tashmë të vonuara: protesta e 17 shkurtit do t’ia thyejë rekordin edhe protestës së 9 janarit të këtij viti si protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës.

Në Kosovën e pasluftës janë vjedhur miliarda euro, por njerëzit që janë arrestuar, malltretuar e burgosur më së shumti janë aktivistët e VETËVENDOSJE!. Kjo që po ndodh nuk është sundim i ligjit por zullum i Maliqit. Ne nuk i nënshtrohemi Maliqit. Qeveria Mustafa-Thaçi duhet të largohet. Më 17 shkurt ka shumë më tepër arsye të protestojmë sesa të festojmë. Protesta e 17 shkurtit është protestë për t’u çliruar nga regjimi Mustafa-Thaçi dhe është protestë për ta shpëtuar Republikën. Demokracia do të triumfojë. Qytetarët e Republikës janë garanci për këtë.

 

16 shkurt 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>