Tubimet mobiliziese të opozitës së bashkuar po vazhdojnë të mbahen anëmbanë Kosovës. Subjektet opozitare sot u takuan në Prishtinë në tubimin e radhës, ku u bë thirrje për pjesëmarrjen në protestën e 17 shkurtit.
Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti tha se Opozita e bashkuar e ka dëshmuar se Kosova nuk ka shtet për të copëtuar e as territor për të zvogëluar. “Zajednica” ka rënë, ka vdekur, vetëm Thaçi e Mustafa duan që ajo të ngjallet. Kjo Qeveri duhet të shkojë. Me datën 17 shkurt do të mblidhemi bashkë në sheshin “Skënderbe” për t’i dhënë goditjen përfundimtare kësaj qeverie të korruptuar e të kriminalizuar.
“Me çdo kusht e për çfarëdo çmimi nuk do të ndalemi, nuk do të kursehemi, pa rezerva do t’i luftojmë këto dy projekte që janë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Planet e Serbisë janë të tilla, të shekullit nëntëmbëdhejtë”, tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët po e kuptojnë që nuk është problemi te gazi lotsjellës, por tek zjarri i Zajednicës së Serbisë. Ndërkaq, për bashkimin në Kuvend dhe në protest tha se “ne jemi opozitë e bashkuar në Kuvendit kurse protestat janë gjithëpopullore”
“Me demarkacionin duan të na thonë se Kosova nuk ka kufij. Mali i Zi u dakordua për rinegocim por qeveria nuk e pranoi sepse i duhet ta pranojë krimin. Tash me “Zajednicën” dhe demarkacion duan të na marrin Ujmanin, e nesër edhe Badovcin e Rugovën. Kjo është arsyeja që ne nuk do të ndalemi për asnjë çmim”, tha Kurti.
Kurse shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj – Bujupi tha se duhet të përgjigjen për varfërinë e madhe në vend.
“Ne bashkë ia dolëm t’i ndalim marrëveshjet dhe do t’ia dalim ta rrëzojmë qeverinë që për kaq vite bënë dëme. Janë pushtetarët që i bënë që të rinjtë ta humbin besimin. Ata janë njerëz që duhet të japin llogari për varfërinë në këtë vend. Varfëria është mungesë parash, mungesë investimi kur qeveria ta kthen shpinën, siç bëri kjo qeveri. Me 17 shkurt i gjithë populli do t’ia kthejë shpinën qeverisë dhe do ta bëjë të pa dukshme”, tha Kadaj Bujupi, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës më 17 shkurt në qendër të Prishtinës.
“Më 17 shkurt përtej subjekteve politike në interest të kauzës, të vendit, për të mirën e Kosovës do të jemi në sheshin Skënderbeu, në sheshin “Nënë Tereza” dhe t’u themi shkoni atyre të cilët e dëmtuan republikën e do të hapim një kapitull të ri për të rinjtë e të rejat të cilët janë të gatshëm të skarifikojnë veten e tyre dhe të tejkalojnë interesin personal, partiak dhe të jenë në interesin e shtetit e kauzës”, shtoi Kadaj.
Kurse, anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën Shyqeri Bytyqi tha se nga opozitë e bashkuar jemi bërë qytetarë të bashkuar. E tëra kjo për një qëllim të përbashkër, kundër dy marrëveshjeve shumë të dëmshme. “Qytetarët treguan se kur është në pyetje dëmi që po i shkaktohet vendit nuk ndalen. Protestën e solli jo vetëm angazhimi jonë por edhe qytetarët që e kuptuan se pas luftës së UÇK-së është momenti që secili qytetarë ka mundësi ta japi maksimumin për ta mbrojtur vendin e vet”, tha Bytyqi.
Lëvizja VETËVENDOSJE!