Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që me 22 gusht të vendoset për shpërbërjen e Parlamentit. Kjo nënkupton se Kosova do të shkojë së shpejti në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të gjithë përfaqësuesit e partive politike konfirmuan se kryesia e Kuvendit ka rënë dakord që me datën 22 të shpërbëhet Parlamenti i Kosovës dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Vendimin e kanë konfirmuar përfaqësuesit e LDK (Avdullah Hoti), AAK (Ahmet Isufi), PDK (Memli Krasniqi), Nismës dhe partive të tjera. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se vendimi është marrë në mënyrë konsesuale.
Vendimi konsensual
“Anëtarët e kryesisë kanë vendosur që të caktojnë datën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, që i mundëson Presidentit të vendit shpalljen e datës për zgjedhje të jashtëzakonshme”, theksoi Veseli. Lideri i PDK tha se zgjedhjet nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por drejtim i duhur, ku qytetarët duhet të thonë mendimin e tyre se kush duhet të qevesië vendin në katër vitet e ardhshme.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, menjëherë pas shpërbërjes së Kuvendit, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të mbahen më heret se 30 dhe jo më larg se 45 ditë nga dita e shpalljes së vendimit.
Analistët në Prishtinë mendojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të mbahen pra në fund të shtatorit, apo në javën e parë të tetorit. Zgjedhjet u bënë të domosdoshme pas dorëheqjes së kryeministrit të tanishëm në detyrë, Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës së Gjykatës Speciale në Hagë, si i dyshuar për krime lufte. Haradinaj është mbrojtur në Hagë në heshtje dhe ka vendosur të rikandidojë për votëbesimin e qytetarëve.
dw