Kancelarja gjermane Angela Merkel bisedoi me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në prag të samitit të Sofjes. Zgjidhja e problemeve me Serbinë është vendimtare për rrugën e Kosovës në BE, tha Merkel.
Biseda mes dy politikanëve të lartë ishte konfidenciale meqë ajo i shërbente krijimit të opinionit në prag të samitit të 17 majit mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së në Sofje si edhe Konferencës së Londrës në kuadër të të ashtuquajturit Proces të Berlinit. I vetmi deklarim publik i kancelares Merkel ishte, sikurse edhe me krerët e tjerë të shteteve që do të përfaqësohen në samitin e Sofjes, para takimit dhe pa pyetje shtesë.
Në këtë deklaratë kancelarja Merkel vuri në dukje përparimet e Kosovës në këto dhjetë vjet pavarësi, sidomos në faktin që është njohur tashmë prej 100 shtete dhe në ndërtimin e strukturave demokratike. Merkel theksoi perspektivën europiane të Kosovës dhe shtoi megjithatë se ka shumë për të bërë, duke përmendur këtu ndër të tjera edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është sipas Merkelit kushti kryesori për afrimin e Kosovës me BE-në: “E dimë që nuk është aspak e lehtë, por ka pasur disa përparime dhe me to duhet të vazhdojmë në të ardhmen. Marrëveshjet e arriturra tashmë në dialogun e normalizimit duhet të implementohen dhe besoj se në këtë moment ka përparësi Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë dhe zgjidhja e problemeve të energjisë”, tha Merkel.
Presidenti i Kosoves Hashim Thaçi tha se Kosova është e gatshme të hyjë në fazën e fundit të dialogut me Serbinë. Thaçi përsëriti se ky dialog duhet të ketë si rezultat përfundimtar njohjen e të dy shteteve reciprokisht.
Çështjen e liberalizimit të vizave, që është aktualisht ajo që i prek më së shumti qytetarët e Kosovës, Angela Merkel nuk e përmendi. Por sipas një prononcimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri për mediat e Kosovës pas takimit, ai kishte “marrë mbështetjen e fuqishme për progresin e Kosovës dhe përpjekjet e institucioneve të vendit për realizimin e kritereve të nevojshme për liberailzimin e vizave”.
Një ditë më parë Thaçi pat qenë i ftuar në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme ku së bashku me ambasadorin Wolfgang Ischinger kishte mbajtur një referat për të ardhmen e Kosovës.
LINK: http://www.dw.com/a-43725669