Mesazhe të qarta amerikane për dialogun Kosovë-Serbi

Karen Donfried dhe Albin KurtiNdihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried i la një mesazh të qartë Prishtinës – nevojën për angazhim urgjent në dialogun Kosovë-Serbi.

 

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried,  e cila shoqërohej edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dha një mesazh të qartë gjatë vizitës në Prishtinë. “Status-quoja është e paqëndrueshme”, prandaj Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me urgjencë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, tha zyrtarja e lartë amerikane, e cila e nisi turin ballkanik me vizitën në Kosovë.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, tha Donfried.

Donfried: Një Ballkan i fuqishëm kërcënim për influencën ruse

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se ajo po e viziton Ballkanin Perëndimor në një kohë sfiduese, duke iu referuar luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Sipas Donfried paqëndrueshmëria e status-quos ndërlidhet me synimet e Rusisë në Ballkan. Rusia “dëshiron që të sigurohet që shtetet fqinje të Ballkanit të mos integrohen në institucionet evropiane dhe euroatlantike”. “Ajo {Rusia} beson se një Ballkan më i fuqishëm, më me prosperitet e demokratik, do të jetë kërcënim për influencën e saj. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për ta destabilizuar rajonin është e thjeshtë, Kosova e Serbia duhet të bëhen bashkë e në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që ka një mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, tha Donfried, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Zyrtarja e lartë amerikane shtoi se “SHBA-ja dhe aleatët janë të angazhuar për stabilitetin në Ballkan Perëndimor”, duke theksuar se “misioni i NATO-s, KFOR është në Kosovë dhe përkujdeset për paqe e stabilitet”. “Shumë kosovarë janë të shqetësuar për sigurinë e Kosovës. Dua t’ju sigurojë se përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve mbetet i fuqishëm. KFOR-i, që është zbarkimi më i madh i NATO-s, është një manifestim i madh dhe i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. SHBA-ja është krenare që Kosova mund ta quajë partnere të saj”, tha Karen Donfried.

Kurti: Dialogu duhet të jetë parimor e që respekton barazinë e palëve

Pas takimit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e tij “është e përkushtuar, kreative dhe konstruktive  në dialog me Serbinë”. “Duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe bashkë me znj. Donfreid u pajtuam që në qendër të marrëveshjes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, “për ruajtje të paqes dhe stabilitetit afatgjatë, është e domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

Osmani: Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog

Në të njejtën linjë u shpreh edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane. Osmani tha, se “me zyrtaren amerikane ka biseduar për urgjencën dhe nevojën për përparim në dialog”, ndonëse ka theksuar se “marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë nuk duhet të përcaktohen nga dialogu me Serbinë”.

“Ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohje reciproke, dhe nga ajo do të përfitojnë qytetarët tanë”, tha presidentja Osmani. Sipas saj gjatë bisedave me zyrtaren e lartë amerikane, Osmani tha se gjatë diskutimeve ka përmendur edhe “zhgënjimin për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale, të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga SHBA”. Në fund të vitit të shkuar Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Karen Donfried, do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor nga 25 deri më 29 prill. Ajo shoqërohet nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe zyrtarë të tjerë amerikanë. Pas Kosovës, ajo viziton Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Javën e shkuar Kosovën e vizitoi edhe një delegacion senatorësh amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis. Ata thanë në Prishtinë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian”.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>