Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria serbe do të bëjë gjithçka është e mundur që Kosova të mos bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Aty na pret një luftë e fuqishme, pasi që Kosova do të dëshirojë të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq për televizionin serb “Pink”.
Sipas tij, Serbia nuk është e detyruar t’ia mundësojë Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, mirëpo shanset që Kosova të anëtarësohet në ndonjë prej këtyre organizatave varen edhe nga vendimmarrja e organizatave të caktuara, transmeton Koha.net.
Daçiq ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OSBE-së pasi aty vendimet merren me konsensus, ndërsa Serbia nuk dëshiron që Kosova të jetë anëtare e kësaj organizate.
Sipas fjalëve të tij, është krejt situatë tjetër kur kemi të bëjmë me Këshillin e Evropës dhe me organizata tjera ndërkombëtare ku vendimet merren me shumicë votash.
“Fatkeqësisht, ne jemi në situatën më të rëndë kur flitet për Kosovën në Evropë”, ka thënë Daçiq duke komentuar rrethanat e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. (r.m.)