Albijona Muharremaj e lindur në Suharekë u vlerësua me titullin Miss Germany. Ajo nuk e priste këtë titull, por shpreson se do ta prezantojë me dinjitet Gjermaninë në Miss World në dhjetor.
Albijona Muharremaj është jashtëzakonisht e lumtur. “E prisja që të kualifikohem ndër pesë më të bukurat, por nuk kam pritur fare se do të fitoj titullin e Miss Deutschland dhe të zgjidhem më e bukura në një vend kaq të madh si Gjermania. Për mua ishte një befasi, e cila më ka bërë shumë të lumtur”, thotë Albijona në bisedë me Deutsche Wellen. Ajo ka lindur para 20 vitesh në Gjinoc të Suharekës, në Kosovë.
Largimi nga Kosova
Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Albijona së bashku me familjen e saj u detyrua të largohet nga Kosova, si pasojë e spastrimeve etnike serbe. “Në Gjermani kemi ardhur për shkak të luftës së atëhershme, sepse jeta jonë ka qenë në rrezik. Kam ardhur si refugjate lufte”, thotë Albijona. Në Gjermani ajo mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, por me Kosovën dhe rrethin e gjerë familjar atje i ka ruajtur gjithmonë kontaktet. Ajo shkon në Kosovë me familjen çdo vit.
Në familjen e saj në Mynih mbizotëron këto ditë një gjendje e jashtëzakonshme. Të gjithë janë të gëzuar dhe të lumtur për titullin Miss Deutschland – World të Abijonës. Por ky nuk është titulli i saj i parë. “Vitin e kaluar pata rastin të përfaqësojë Kosovën në Miss Interkontinental, pasi kiasha fituar garën për Miss Diaspora”, shpjegon Albijona. Më pas ajo ka fituar edhe garën për Miss Bayern në Mynih, dhe është kualifikuar ndër 18 vajzat më të bukura të Gjermanisë për këtë vit, ku edhe fitoi këtë titull.
Më e bukura e Diasporës, e Bavarisë dhe e Gjermanisë e flet shumë rrjedhshëm gjuhën shqipe, ndonëse më lehtë shprehet në bisedat për media në gjuhën gjermane. Aktualisht është duke ndjekur mësimet në një shkollë profesionale për tregti, por as vet nuk e beson se do të merret me këtë profesion. Edhe në shkollë këto ditë mbretëron gjendje e jashtëzakonshme. “Këto dy ditë kam pasur shumë stres, sepse të gjithë më afrohen dhe duan të më urojnë. Të gjithë duan të më përgëzojnë për zgjedhjen Miss Deutschland”, thotë Albijona.
Vajza nga Suhareka prezanton Gjermaninë në Miss World
Vajza me përmasat 83 – 61 – 91, ka nisur që tani përgatitjet për prezantimin e Gjermanisë në Miss World, i cili zhvillohet në dhjetor në Kinë. Ajo çdo ditë merret me sporte të ndryshme, por më së shumti i pëlqen noti. Natyrisht punon edhe si modele, por ende nuk ka ndonjë angazhim profesional. “Në Kinë me siguri do të jetë e vështirë, sepse konkurrenca do të jetë shumë e madhe. Por as në Gjermani nuk ka ishte e lehtë. Ndaj shpresoj se do të arrij diçka”, thotë me modesti Albijona Muharremaj, e cila menjëherë ka filluar përgatitjet për paraqitjen në skenën botërore. (dw)