Mogherini e Hahn me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor

Mogherini BallkanShefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, takuan në New York udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në “një takim pune për të çuar pëprara procesin e integrimeve evropiane për tërë rajonin”.

Në njoftimin e zyrës së zonjës Mogherini thuhet se udhëheqësit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e Maqedonisë, “konfirmuan përkushtimin e tyre për vazhdimin e reformave, posacërisht në drejtësi, në fushën e sundimit të ligjit si dhe në bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.

Takimi u mbajt në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në njoftim thuhet se zyrarët e BE-së “konfirmuan mbështetjen e qartë për ardhmërinë evropiane të Ballkanit Perëndimor, siç është shprehur së fundmi edhe nga Këshilli Evropian edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në fjalimin vjetor gjatë këtij muaji. Në pajtim me këtë përkushtim, Bashkimi Evropian po e forcon mbështetjen ndaj të gjithë partnerëve drejt përmbushjes së synimeve të arritshme dhe realiste, në mënyrë që përparimi i tyre të jetë i pakthyeshëm në përfundim të mandatit tonë”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha në fjalimin vjetor më 13 shtator se “qëndrueshmëria në fqinjësinë e Bashkimit Evropian nënkupton mbajtjen hapur të perspektivës së Ballkanit Perëndimor për integrim, por asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund t’i bashkohet bllokut brenda mandatit aktual të komisionit që përfundon në vitin 2019”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>