Nisur nga situata e tensionuar në kufirin Kosovë-Serbi, ministria e Jashtme të Gjermanisë ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në një prononcim për Deutsche Wellen, ministria e Jashtme në Berlin thotë ndër të tjera se po e “ndjek me vëmendje gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe në pikat ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kërkojmë nga të dyja palët që t’i lënë provokimet e çdo lloji dhe të çtensionojnë situatën sa më shpejt.
Në prononcim thuhet më tej se Gjermania vijon ta mbështesë “pa kufi punën e të ngarkuarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak,për të forcuar dialogun e udhëhequr nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Po ashtu, diplomacia gjermane nënvizon se mbështet edhe “deklaratat e fundit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë temë”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e përshëndeti edhe takimin e sotëm, më 29 shtator, në Bruksel, ndërmjet drejtuesve të ekipeve negociatore të Serbisë dhe Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Sekretari gjerman i shtetit, Miguel Berger, theksoi në një mesazh në Twitter të martën që të dyja palët tani duhet të çtensionojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve. “Progresi në dialog është në interes të të dyja palëve”, shkroi Berger, pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, në Berlin.
Bislimi është takuar në Berlin me një sërë zyrtaresh nga ministria e Jashtme e Gjermanisë, zyra kancelarore dhe përfaqësues të ekonomisë gjermane.
dw