Mungesa e konsensusit – shtyhet ratifikimi i demarkacionit

kuvendiËshtë shtyrë për të merkurën e javës së atdhshme seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Partitë politike në Kosovë kanë dallime të mëdha për këtë çështje.

Shtyhet për të mërkurën e javës së ardhme seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Mungesa e një konsensusi ndërmjet partive politike bëri që seanca të shtyhet për të merkurën. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, megjithatë është i bindur se partitë politike do të arrijnë koncensusin dhe demarkacioni do të kalojë.

“Është vendim unanim i të gjitha grupeve parlamentare që të shtyhet seanca. Jemi në rrugë të mirë për konsensus të përbashkët dhe për këtë e falënderoj edhe opozitën. Do të arrijmë që së bashku të jemi në këtë rrugëtim dhe t’i hapim rrugën qytetarëve tanë në një të ardhme të afërt”, tha Kadri Veseli, duke mos saktësuar nëse është arritur numri i mjaftueshëm prej 80 votave nga 120 deputet sa i ka kuvendi i Kosovës për ta ratifikuar demarkacionin.

Që në fillim të seancës së sotme, partitë politike filluan që shfaqin dallimet e tyre rreth demarkacionit. Madje një debat i ashpër u zhvillua ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke e akuzuar njëri tjetrin për bllokada të ratifikimit të demarkacionit. Kryeministri Ramush Haradinaj, ligjin për demarkacionin e ka proceduar në Kuvend së bashku me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Presidentëve të Kosovës e Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviç dhe raportin e Komisionit shtetëror të emëruar nga Haradinaj, që kryesohet nga ish deputeti Shpëtim Bulliqi. Raporti i këtij të fundit gjen shumë mangësi në marrëveshjen e demarkacionit të vitit 2015. E në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare në dy lokacione Cakorr e Kullë, dhe do të bëhen korrigjime të nevojshme nëse ka pasur lëshime.

Mirëpo, përfshirja në një pako të ligjit për demarkacionin edhe raporti i Shpëtim Bulliqit, nxiti reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e cila tha se, kjo parti nuk e voton demarkacionin pa u hequr nga ligji raporti i Bulliqit.

“LDK nuk është bllokuese, por edhe kjo parti i ka qëndrimet e saj, dhe nuk pranon që raporti i Shpëtim Bulliqit të hidhet në votim pasi është kontradiktor me marrëveshjen e nënshkruar të Demarkacionit të vitit 2015. Nuk kemi inati me Shpejtim Bulliqin, por nëse edhe raporti i tij del në votim, cila është logjika e kësaj”, u shpreh deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.

E në anën tjetër është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) parti kjo e kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo që po insiston që raporti i Komisionit Aktual për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të futet në paket me ligjin për demarkacionin.

Lista Sprska kundërshton çdo variant

Kundër ratifikimit të ligjit të demarkacionit në cilindo variant është Lista “Srpska”, që ka 10 deputetë në parlament dhe lëvizja Vetëvendosja që ka 32 deputetë në Parlament.

Lista Serbe në një komunikatë për medie hodhi poshtë lajmet në mediet e Kosovës së ky subjekt do ta votojë demarkacionin.

“Një diçka e këtillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta përkrahim demarkacionin, siç po pohohet rrejshëm, por do të vazhdojmë të luftojmë për interesat e popullit serb në Kosovë e jo të qendrave vendore e ndërkombëtare të pushtetit”, thotë Lista Srpska.

Lëvizja Vetëvendosja nga ana e saj, është kategorike kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, sepse, kjo parti është e bindur se me marrëveshjen e vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Kosova humb territor. Për më shumë kjo parti sot bëri kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sipas Vetëvendosjes “ka bërë tradhti ndaj vendit”.

“Sot në mëngjes kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal kundër Hashim Thaçit, për shkak të tradhtisë ndaj vendit. Kallëzimi penal ka të bëjë me nënshkrimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku Hashim Thaçi, shtetit fqinjë të Kosovës i ka dhënë territor të Kosovës”, tha para medieve deputetja e vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Vazhdojnë thirrjet që demarkacioni të miratohet

Ndërkohë, në anën tjetër, thirrjet deputetëve për ta ratifikuar demarkacionin nuk kanë të ndalur. Është vet Presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se “ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës”.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë. Ftoj edhe Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaçi.

Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie. Sipas tij, ratifikimi i demarkacionit do të ishte pozitiv për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kalimi i marrëveshjes për Demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë. Unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë me PO”, ka shkruar Greg Delawie në twitter.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputet sa i ka parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kriteri i fundit që Kosova duhet plotësuar në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heq regjimin e vizave edhe Kosovës, si i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në zonën Shengen. Njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane, thonë se Kosova tash e ka shansin e fundit që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi dhe të përfitojë liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Në të kundërtën, vitin e ardhshëm në BE do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian dhe ku mund të forcohet e djathta evropiane, e cila në shumë raste ka kundërshtuar madje edhe pavarësinë e Kosovës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>