Në një video që u publikua ditëve të fundit shihet Qani Rexhepi, vëllai i kryetarit të Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut Sylejman Rexhepit, duke e ofenduar rëndë heroin Adem Jashari.
Pas raportimeve se të njëjtit ishin dekoruar nga OVL-ja e UÇK-së, këta të fundit e sqaruan se nuk kanë ndarë mirënjohje për Qani Rexhepin dhe tre pjesëtarët e Medresesë “Isa Beu” në Maqedoninë e Veriut – që shihen në këtë video të publikuar nga një gazetar maqedonas.
Por, imami në xhaminë e Drenasit Osman Musliu reagoi ashpër pse OVL-ja e UÇK-së nuk e revokoi mirënjohjen e dhënë për vëllain e myftiut që e fyu rëndë Adem Jasharin.
“U nervozova kur e pashë këtë video që del një familjar i myftiut lëshon muzikë serbe në mes të Kosovës dhe merr guximin që ta shajë Adem Jasharin. Unë nuk e mbroj Adem Jasharin, sepse ai e ka mbrojtur veten shumë herët prej kur e ka nisur luftën që të na çlirojë prej okupatorit serb. Nuk ka shqiptar që mund ta mbrojë Adem Jasharin”.
“Unë u mllefosa aq shumë edhe e bëra një postim ku reagova. Kur e pashë në konferencën për media Nasim Haradinajn në seli të OVL-së së UÇK-së e analizova. Më dolën pesë të pavërteta nga ato që tha ai. Para se ta fillojë konferencën, Nasimi kur e shpjegoi këtë video filloi me ‘gazetarin kontravers’, derisa unë gjeta argumente që ky gazetari veç e ka ripublikuar këtë video, sepse më 4 maj kjo video ishte nëpër portale të Maqedonisë së Veriut”.
“OVL e UÇK-së është dashur ta dënojë fillimisht si akt dhe më pas të merret edhe me gazetarin. Së pari duhej të vërtetohej nëse vëllai i myftiut të Maqedonisë së Veriut ka marrë mirënjohje prej OVL-së së UÇK-së dhe nëse po, të revokohej menjëherë. Unë e kam menduar që këtë duhet ta thoshte Nasim Haradinaj, por ky nuk e tha”.
Mulla Musliu ka insistuar se ka fakte që vëllai i myftiut, Avdyl Rexhepi, ka marrë Mirënjohje për Kontributin Kombëtar në selinë e OVL-së së UÇK-së.
Madje, ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka nxjerrë një video si dëshmi për këtë që po e thotë ku insiston se shihet edhe Qani Rexhepi – që e fyu heroin Adem Jashari shkruan telegrafi.
Vërejtje e jonë: Fatkeqësisht, mirënjohjet shpërndahen mbi baza politike dhe sipas vullnetin të individëve ose personave që kanë ndikim dhe kompetenca të përkohshme mbi ato institucione dhe jo bazuar në vlera të mirrëfillta , por me këtë devalvohen edhe vlerat e mirënjohjeve të tjera që janë shpërndarë personave të merituar.