Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten në Beograd se NATO-ja hoqi kufizimet në hapësirën ajrore të Serbisë të vendosura në vitin 1999. Ai e bëri publik këtë vendim pas takimit me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizitë që po i bën Beogradit.
Në qershor të vitit 1999, NATO-ja dhe autoritetet e Beogradit nënshkruan një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë me të cilën përfundoi fushata e bombardimeve 78 ditëshe të trupave të aleancës për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Sipas marrëveshjes, përvec largimit të trupave nga Kosova, u vendos edhe Zona Ajrore e Sigurisë, që ndalonte fluturimet në një hapësirë mbi 20 kilometra nga kufiri i Kosovës në brendi të Serbisë.
Sekretari Stoltenberg, tha të premten se vendimi për heqjen e kufizimeve “është një dëshmi konkrete e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe Serbisë”.
Zoti Stoltenberg tha se Serbia luan rol të rëndësishëm për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor ndërsa përgëzoi autoritetet për përkushtimin ndaj bisedimeve me Prishtinën.
“Kjo është e rëndësishme për të gjithë dhe jemi të inkurajuar nga përfshirja e juaj. Normalizimi dhe bisedimet janë e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Unë iinkurajoj të dyja palët të vazhdojnë këtë rrugë”, tha sekretari Stoltenberg duke nënvizuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të rëndësishme për të gjitha vendet.
“Fushata ajrore e NATO-s gjatë vitit 1999 nuk ka qenë asnjëherë kundër popullit serb. Ajo synonte ndalimin e veprimeve të papranueshme nga qeveria e Milloseviçit që ishte e dënueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërhyrja e NATO-s u dha fund konflikteve në Ballkan”, tha sekretari Stoltenberg.
Ndërsa kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se Serbia dëshiron që trupat e KFOR-it të qëndrojnë sa më gjatë në Kosovë.
“Besoj që KFOR-i ka dhënë kontribut të rëndësishëm për të ruajtur dhe mbrojtur kishat dhe manastirat tona që ndodhen në jug të lumit Ibër, dhe para së gjithash ata sot përfaqësojnë qëndrueshmërinë edhe për veriun e Kosovës së pari për shkak të miarrëveshjeve që kemi nënshkruar në Bruksel dhe ne do të dëshironim që prania e tyre në Kosovë të mos vihet në dyshim”, tha kryeministri serb.
Ai tha po ashtu se “është shumë e rëndësishme që NATO-ja është garantuese për mos praninë e Forcave të Sigurisë së Ksoovës në katër komunat e veriut të Kosovës”.
Aktualisht mbi 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë, ndërsa prania e mëtejshme e tyre, tha sekretari i përgjithshëm, varet nga vlerësimet që do të behën për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon. (voa)