NATO: Kosova merr statusin e vendit të asociuar nga AP

natoAsambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Serbia e kundërshtoi hapur dhënien e statusit të asociuar për Kosovën.

 

Asambleja Parlamentare e NATO-s, që po zhvillon punimet tre ditore në Sofie të Bullgarisë, vendosi të hënën (27.05.) për avancimin e statusit të Kosovës nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar të kësaj organizate. Shumica e vendeve kanë votuar pro, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar!

Megjithë kundërshtimin e Serbisë çështja e avancimit të statusit të Kosovës në NATO u vendos në agjendën  e organizatës. Zyrtarisht u njoftua më parë se deputetët e AP të NATO-s, ndër të tjera “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar”. “Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Qysh në mars të këtij viti Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në aleancë, ndërsa të hënën u votua përfundimisht.

Serbia u angazhua kundër statusit të asociuar

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë që kryesohet nga kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, i cili ishte pjesë e mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre kërkoi që Kosovës të mos i jepet statusi i anëtarit të asociuar. Edhe Instituti Ndërkombëtar për Siguri në Serbi i ka bërë thirrje AP së NATO-s që mos ta avancojë statusin e Kosovës në këtë organizatë, duke argumentuar se “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”. “Nëntë anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe se dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”, thotë Instituti Ndërkombëtar për Siguri me seli në Serbi.

Asambleja Parlamentare e NATO-s si urë lidhëse

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova pritet të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. AP e NATO-os,  përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Aktualisht anëtare të asociuara në Asamblenë Parlamentare të NATO-os, janë nëntë vende  në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta dhe mund të shërbejnë si raportues special të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare. Megjithatë, vendet me statusin e asociuar në AP të NATO-os, nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e organizatës.

KFOR e quan të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave

Në Kosovë ka aktualisht rreth pesë mijë trupa të NATO-s, KFOR-i të cilët janë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Në fillim të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-os, raportuesi Mark Lancaster, prezantoi pjesë të një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku thuhet se “KFOR-i negocioi me sulmuesit e Banjskës” për të ikur në Serbi. Në sulmin e 24 shtatorit të vitit të shkuar nga një grup serbësh u vra një rreshter i policisë së Kosovës, ndërsa, përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Srpska, i cili tash vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate e ka quajtur “të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave”, pjesë të cilit u përfshinë në draftraportin, në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga raportuesi Mark Lancaster. Në reagimin e KFOR-it, thuhet se “kjo nuk është e vërtetë pasi në asnjë moment KFOR-i nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”. “Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në reagimin e KFOR-it thuhet, po ashtu, se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë. “Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>